Ambasadori serb takon Dukën: Ne, ballkanasit kemi traditë mikpritjen

09/09/2015 13:50

Ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç ka zhvilluar një takim me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për të parë mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për mbarëvatjen e ndeshjes së tetorit, Shqipëri – Serbi.

Me një shqipe të folur mirë, ambasadori serb ka theksuar se ka besim të madh në mirorganizimin, që do t’i bëjë Federata dhe Qeveria shqiptare kësaj sfide të rëndësishme, në mënyrë që të evitojë çdo lloj incidenti të mundshëm.

“Ky ishte një takim me karakter informues, në lidhje me ndeshjen e ardhshme Shqipëri – Serbi. Shkëmbyem informacione të nevojshme dhe biseduam në frymën e bashkëpunimit, në mënyrë që të kalojë sa më mirë zhvillimi i saj”, tha Armand Duka, kreu i FSHF-së.

“Ishte kënaqësi, që u pritëm në këtë takim në Federatën Shqiptare të Futbollit. Sigurisht, biseduam për ndeshjen e ardhshme mes dy kombëtareve tona. Kemi besim tek institucioni i futbolllit shqiptar dhe shpresoj se, gjithçka do të shkojë mjaft mirë në këtë ndeshje. Falënderoj presidentin Duka për pritjen dhe angazhimin e tij”, u shpreh Miroljub Zariç, ambasadori i Serbisë në Tiranë.

Nga ana tjetër, presidenti Duka theksoi se shqiptarët duhet të bëhen bashkë, në mënyrë që t’i shërbejnë kombëtares, në sfidën që mund të na japë edhe kualifikimin, dhe jo ta dëmtojnë atë.

“Kemi një muaj që kemi nisur punën, në lidhje me organizmin e kësaj ndeshjeje. Unë kam bindjen se, gjithçka do të shkojë mirë dhe u bëj thirrje të gjithëve, që të na mbështesin për këtë. Tifozët shqiptarë nuk kanë qenë asnjëherë problematikë, si brenda, edhe jashtë Shqipërisë. Duke bashkëpunuar do të arrijmë që gjithçka të kalojë pa problem”, tha Duka.

Ndeshja e parë mes këtyre dy kombëtareve u ndërpre, pasi tifozët serbë pushtuan fushën dhe goditën disa prej lojtarëve tanë. Ndërkohë, sfida e kthimit, e cila do të luhet më 8 tetor në “Elbasan Arena”, përmban një rëndësi të madhe për kombëtaren tonë, pasi një fitore ndaj tyre dhe një humbje e Danimarkës në Portugali do të mund të na kualifikojë drejtpërdrejtë në Francë 2016.

Top Channel