Dëmtimet e lojtarëve, ngërçi i pazgjidhur mes klubeve e kombëtareve

09/09/2015 00:00

Raportet mes klubeve dhe skuadrave kombëtare kanë qenë gjithnjë të vështira. Jo pak herë, drejtues të skuadrave më të rëndësishme të kontinentit europian kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre sa herë që afrojnë sfidat e përfaqësueseve të parashikuara nga FIFA apo UEFA.

Kjo për faktin se, gjatë kohës kur janë këto ndeshje, ndodh që disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të pësojnë dëmtime, që kushtëzojnë jo pak trajnerët e klubeve. Milan e Inter e kanë ndjerë jo pak këtë problem.

Te kuqezinjtë, Sinisa Mihajloviç nuk do të ketë në dispozicion Bertolaccin, të dëmtuar në ndeshjen me Maltën, ndërsa sfida miqësore mes Brazilit dhe SHBA-ve ka vënë në ankth teknikun e zikaltërve, Roberto Mançini. Trajneri italian rrezikon të humbasë shërbimet e mbrojtësit Joao Miranda, që u detyrua të braktisë sfidën me amerikanët pas 23 minutave lojë, për shkak të një dëmtimi të pësuar në gju.

Probleme ka edhe në kryeqytetin italian, Romë. Mes Lacios dhe Holandës kanë shpërthyer polemikat, për shkak të Stefan de Vrij, i cili u dëmtua në sfidën me Turqinë. Për fatin e mirë të Piolit, koha e riaftësimit të de Vrij nuk do të jetë e gjatë, ndërkaq ai do të mungojë në sfidën e së dielës me Udinezen. Nuk kanë shkuar mirë gjërat as për Romën, që do t’i duhet të bëjë pa shërbimin e Miralem Pjaniç për 3 javë, për shkak të një dëmtimi të pësuar në sfidën me Andorrën.

Probleme me dëmtimet e lojtarëve kanë shfaqur edhe kampionatet e tjera europiane, si Bundesliga dhe Premier League. Në rastin e kampionatit gjerman, është i zakonshmi Arjen Robben, që pësoi dëmtimin e radhës, kësaj here në sfidën me Islandën, e që do të jetë i detyruar të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një muaj. Fabian Dolph vendosi një rekord të veçantë, duke u dëmtuar kur kishin kaluar vetëm 30 sekonda nga ndeshja mes Anglisë dhe Zvicrës.

Top Channel