Derbi i Madonninës, fitorja e Milanit si udhëtues konsiderohet “tabu”

09/09/2015 00:00

Këtë fundjavë do të luhet derbi i Milanos, mes Interit dhe Milanit. Kuqezinjtë vijnë në këtë përballje si skuadër udhëtuese dhe statistikat, në lidhje me këtë rast, nuk flasin në favor të tyre.

Në 10 ndeshjet e fundit të zhvilluara mes këtyre dy skuadrave, Milani ka fituar vetëm një ndeshje derbi si skuadër udhëtuese, ka barazuar 2 dhe ka humbur plot 7 sfida.

Seria e rezultateve negative për Milanin, në këtë aspekt, nis në sezonin 2005-2006, kur Adriano vuloste fitoren 3-2 për Interin në minutat shtesë.

Derbi i vitit 2007 ka hyrë në histori për disa arsye. Milan mori avantazhin pikërisht me brazilianin Ronaldo, por festa e “fenomenit” zgjati pak, Cruz dhe Ibrahimoviç përmbysën gjithçka. Në po atë vit, Interi shënoi një tjetër fitiore 2-1, dhe sërish pasi u gjend në disavantazh.

Humbjet e Milanit, si ekip udhëtues, vijuan edhe në vitet 2009 e 2010.

Sezoni 2010-2011 shënoi një ndërprerje të rezultateve negative të kuqezinjve ndaj zikaltërve, kur Ibrahimoviç i dha fitoren Milanit, që pikërisht në atë sezon fitoi edhe titullin e tij të 18 në Serinë A.

Në 2012-n, Interi rigjeti fitoren ndaj Milanit, 4-2, disfatë kjo që detyroi kuqezinjtë t’i thoshin lamtumirë titullit kampion. Herën e fundit, që Interi mundi Milanin si skuadër pritëse në derbi, ishte 22 dhjetori i vitit 2013, falë golit të Palacios.

Ndërsa sfida e muajit mars, Inter-Milan përfundoi me barazimin 0-0.

Top Channel