Studimi, refugjatët po sjellin varfëri në vendet tranzit të Ballkanit

09/09/2015 10:25

Fluksi i madh i emigrantëve që kalojnë nëpërmjet vendeve të Ballkanit, nuk po sjell asgjë tjetër veçse varfërim të mëtejshëm të këtyre shteteve.

Në një artikull të sajin, gazeta britanike “the Guardian” sjell në qendër të vëmendjes politikat, që po ndjek Europa ndaj emigrantëve, dhe kostove, që këta të fundit po u shkaktojnë vendeve të tranzitit, që nuk janë pjesë e bllokut.

Javën e shkuar, udhëheqësit e rajonit u mblodhën në Vjenë, në një samit të thirrur nga Austria dhe Gjermania, për të diskutuar gjendjen e refugjatëve të ardhur. Vendet që preken nga kjo situatë ishin gjithë sy e veshë – thuhet në artikull, – për ndonjë fond ndihme, por kjo gjë as që u përmend gjate takimit.

Rezualtat ishte vetëm shpërndarja e disa të ardhurave të mbledhura dhe fjalë të ngrohta mbi solidaritetin. Kjo është dhe arsyeja, pse kryeministri serb Aleksandar Vuçiç doli i frustruar prej andej dhe tha se fondi prej 3 milionë eurosh i akorduar përbën vetëm një të dhjetën e asaj, që shpenzohet për gatishmërinë e ushtrisë, policisë dhe strukturave të tjera.

Vendi ndodhet në vështirësi ekonomike. Rrezik përbën edhe mbyllja e kufirit hungarez në veri dhe krijimi i një kampi si ai i refugjatëve në Kale (Calais) të Francës. Por, ndoshta ata do të gjejnë rrugë alternative, që kalojnë përmes Kroacisë apo Sllovakisë.

Nga ana tjetër – vijon artikulli, – as Europa nuk po bën lëvizjen më të vogël për të krijuar strategji, që lidhen me këtë kanal tranziti. Secili nga vendet ballkanike, që preket nga kalimi i emigrantëve, si Maqedonia, Kosova, Serbia apo Bosnja janë vende kandidate për në BE apo po përpiqen dëshpërimisht të bëhen të tilla.

Të gjitha preken nga fluksi i refugjatëve, por në Bruksel, Vjenë apo Berlin askush nuk duket i interesuar për të ndërtuar një plan mbi gjendjen e tyre, e jo më t’u dhurojnë fonde.

Meqë po i drejtohemi dimrit, kushtet e vështira të motit do të kërkojnë edhe rritjen e fondeve të shpenzuara nga këto shtete – përfundon artikulli, – dhe atëhere vetëm togfjalëshi “Shpirt europian” nuk do të mjaftojë.

Top Channel