Barcelona, Claudio Bravo do të mungojë ndaj Atletico Madrid

08/09/2015 16:05

Këtë fundjavë rikthehen ndeshjet e kampionateve më të rëndësishme evropiane. Në Spanjë, sfida që ka vëmendjen më të madhe është ajo që do të luhet në Vicente Calderon: Atletico Madrid-Barcelona.

Në përfundim të dy javëve të para, si Atletico ashtu edhe Barcelona kanë 6 pikë, por skuadra e Diego Pablo Simeones ka një golavarazh më të mirë. Skuadra katalanase do të udhëtojë drejt Madridit me një mungesë të rëndësishme, atë të portierit Claudio Bravo.

Kiliani pësoi një dëmtim muskular në këmbën e djathtë dhe në një komunikatë për shtyp të publikuar nga vetë Barcelona theksohet se ai nuk do të jetë i pranishëm në sfidën e së shtunës. Kjo do të thotë se në vendin e Claudio Bravos në portë do të jetë gjermani Ter Stegen, i cili do të bëjë debutimin në kampionatin spanjoll.

Claudio Bravo nuk është i vetmi që nuk do të jetë në dispozicion të Luis Enrique për përballjen me madrilenët. Do të mungojnë gjithashtu Dani Alves e Sergi Roberto, edhe këta për arsye dëmtimi, ndërsa mbrojtësi Pique vuan skualifikimin prej 4 ndeshjesh për atë çfarë ndodhi në Superkupën e Spanjës.

Top Channel