Mediet italiane vlerësojnë Kombëtaren shqiptare

08/09/2015 00:00

Sfida e eliminatorëve të Euro 2016 mes Shqipërisë dhe Portugalisë, e fituar në sekondat e fundit nga luzitanët 1-0, ka gjetur hapësira në medien botërore. E përditshmja prestigjoze italiane “La Gazzetta Dello Sport” i ka dedikuar një artikull kësaj sfide të skuadrës sonë përfaqësuese, ku vlerësonte lojën e kuqezinjve të De Biasit.

Sipas kësaj të përditshmeje, Portugalia mori një fitore të pamerituar falë dhuratës së Migel Velozos në minuten e 92-të. Skuadra e Ronaldos ka 15 pikë, 4 më shumë se Shqipëria dhe kualifikimi duket çështje pothuajse e mbyllur. Për “La Gazzetta Dello Sport”, skuadrës sonë kombëtare i mbetet shija e hidhur e dorëzimit pas një ndeshjeje vërtetë shumë të mirë; mbrojtje perfekte, me një pjesë të dytë kurajoze kundër një skuadre superiore në paga, emra dhe kualitete, por inferiore përsa i përket lojës me zemër dhe pasion. Shqiperia 1 vit më parë mundi Portugalinë në fushën e saj dhe ishte duke marrë 4 nga 6 pikët e mundshme ndaj kësaj skuadre.

Duke qëndruar te reparti i mbrojtjes, emra të tillë si Gjimshiti, Ajeti, Cana apo Agolli janë përmendur në këtë artikull të “La Gazzetta dello Sport”.

“Nëse në krahun e djathtë të mbrojtjes ke një lojtar 22-vjeçar që luante sfidën e dytë të tij me kombëtaren, një tjetër 21-vjeçar si Ajeti, që ende nuk ka gjetur skuadër pas largimit nga Bazeli, shkëmbin Cana dhe në krahun e majtë një futbollist që siguron jetesën te Karabag, nuk mund të kesh luksin të dalësh nga zona dhe të bësh pasime me mesfushorët”, thekson kjo e përditshme.

“Në mbrojtje Shqipëria ishte solide ku secili prej lojtarëve ishte gati të korrigjonte çdo gabim të shokut të tij. Shqipëria e De Biazit ka pësuar vetëm 3 gola në 6 ndeshje kualifikuese dhe ndaj Portugalisë ajo tregoi vlerat e saj. Kjo sepse Kristiano Ronaldo, Nani, apo Dani nuk mundën të bënin lojën e tyre më të mirë. E gozhduar në prapavijë, skuadra e De Biazit nuk kishte shumë interes për lojën sulmuese, por në momentin kur shtoi ritmin e lojës, arriti të godasë shtyllën me Cikalleshin. U duk se po shkonte gjithçka drejt rezultatit 0-0, kur Kuarezma gjeti Veloso për të djegur Shqipërinë, që gjithsesi e ka një motiv për të buzëqeshur; barazimi i Danimarkës me Armeninë e lë këtë kombëtare 1 pikë nga vendi i dytë me një ndeshje më pak”, shkruan “La Gazzetta Dello Sport”.

Top Channel