US Open, Federer avancon duke mos humbur asnjë set

06/09/2015 00:00

Roger Federer kaloi në 1/8 e finaleve të US Open pa shpenzuar shumë energji. Tenisti nga Zvicra mundi gjermanin Philipp Kohlschreiber me rezultatin 6-3, 6-4 dhe 6-4, edhe pse në dy raste humbi shërbimet, gjë që nuk kishte ndodhur që nga finalja e Wimbledon, 2 muaj më parë.

Fituesi i 17 Grand Slam-eve e fitoi ndeshjen në 1 orë e 30 minuta dhe deri më tani, nuk ka humbur asnjë set në turneun amerikan. Në raundin tjetër, Federer do të përballet me amerikanin John Isner, i cili mundi çekun Jiry Vesely.

Në 1/8 e US Open kaloi edhe britaniku Andy Murray, i cili fitoi po në 3 sete ndaj brazilianit Thomaz Bellucci (6-3, 6-2 dhe 7-5). Tashmë, britanikun e pret në raundin tjetër afrikano-jugori Kevin Anderson, i cili fitoi ndaj austriakut Dominic Thiem.

Ndërkohë, edhe çeku Tomas Berdych iu bashkua të mëdhenjve duke mundur spanjollin Guillermo García-López me rezultatin 6-7, 7-6, 6-3 dhe 6-3. Në 1/8, çeku do të përballet me francezin Richard Gasquet.

Top Channel