Refugjatët; Maqedonia, Serbia, Austria dhe Hungaria firmosin memorandum

04/09/2015 17:35

Kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme ka mbledhur të premten në Ohër ministrat e Brendshëm të Maqedonisë, Austrisë, Serbisë dhe Hungarisë, të cilët kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi për menaxhimin e përbashkët të situatës së krijuar.

Në këtë takim, shefi i policisë maqedonase, Mitko Çavkov u shpreh i pakënaqur nga bashkëpunimi me Greqinë dhe akuzoi fqinjin jugor për sjellje jokorrekte në përballjen me fluksin e shtuar të emigrantëve.
 
“Ne bëjmë përpjekje maksimale për trajtimin e duhur të fluksit të madh të emigrantëve, që është mbi kapacitetet tona. Pres reagim edhe nga pala greke, kërkoj që edhe ata të japin kontributin e tyre dhe të mos ndikojnë në rritjen e vazhdueshme të fluksit të emigrantëve, që vijnë nga Greqia drejt Maqedonisë. Zgjidhja nuk duhet të kërkohet te bartja e problemit. Ne do të gjejmë mënyra për t’u ballafaquar me fluksin e fundit”, u shpreh Çavkov.

Në takimin e Ohrit, zyrtarët e 4 shteteve – që shërbejnë si vende tranzit për emigrantët, – thanë se menaxhimi i kësaj situate, përveç qasjes së përbashkët kërkon edhe mbështetje më të madhe financiare e teknike.

“40 policë austriakë janë dërguar në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, si dhe në kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë, të cilët do të shërbejnë me automjete shtesë dhe me gjithë pajisjet e nevojshme, bashkë me autoritetet vendore. Formuam edhe një ekip hetues, me të cilin do të luftojmë kundër trafikantëve”, deklaroi Johana Mikl-Lajtner, ministre e Brendshme e Austrisë. 

Ndërkohë, duke folur në këtë takim për krizën e refugjatëve, ministri i Brendshëm maqedonas, para kolegëve të tij tha se në 24 orët e kaluara, nga Greqia në Maqedoni kanë hyrë mbi 4000 persona.

Top Channel