Greqi, konservatorët udhëheqin për herë të parë në sondazhe

03/09/2015 00:00

Afrimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme në Greqi ka sjellë sfumimin e diferencës midis dy partive rivale për pushtet, Syriza dhe Demokracia e Re. Në 3 sondazhet e fundit të së enjtes, diferenca ka shkuar në vetëm 0.5%, madje në dy prej tyre tashmë kryesojnë për herë të parë konservatorët.

“Unë besoj se këto zgjedhje ishin të panevojshme, sepse rezultati do të jetë i njëjtë. Parlamenti i mëparshëm mund krijonte një qeveri dhe të udhëhiqte vendin drejt progresit”, tha Stefanos Amirallis, qytetar i Athinës.

Gjithashtu, sipas sondazheve, popullariteti i ish-kryeministrit Tsipras është në rënie dhe shumë analistë shprehen se, vendimi i tij për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme ndoshta ishte i nxituar, pasi edhe mund të humbasë. Ndërkohë, burime pranë partisë Syriza deklarojnë se, kompanitë e sondazheve, sidomos në dy vitet e fundit nuk kanë qenë aspak të besueshme.

Në janarin e këtij viti, ato parashikonin fitoren e Demokracisë së Re, ndërkohe që Syriza fitoi me 9 pikë diferencë; apo në rastin e referendumit të korrikut, kur vazhdonin të publikonin edhe disa minuta pas mbylljes së kutive se fituese ishte alternativa “Po”, ndërkohë që “Jo”-ja fitoi me 61.4%.

“Pavarësisht rezultatit, jam optimiste se programi i ndihmës së Greqisë do të zbatohet me sukses”, ka deklaruar disa orë më parë Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ndjek me interes të jashtëzakonshëm zhvillimet politike në Athinë.

“Unë besoj se, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, ne kemi një mundësi të arsyeshme. E them këtë me shumë kujdes, por ky program do të zbatohet”, është shprehur Angela Merkel.

Pika e dobët për Syrizën, gjithsesi, është përqindja e madhe e të pavendosurve, shumica e të cilëve kanë votuar këtë parti më parë.

Deri më tani, Tsipras ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partitë kryesore të opozitës, që mbështesin paketën e tretë të ndihmës; si Demokracia e Re, PASOK-u dhe Lumi; fakt që mund të shkaktojë ripërsëritjen e zgjedhjeve, për arsye të pamundësisë së krijimit të një qeverie me shumicë absolute, zhvillim që do të rriste paqëndrueshmërinë politike të vendit dhe do e fuste Greqinë në peripeci të reja.

Top Channel