Kombëtarja, De Biasi provon skemat

02/09/2015 00:00

Pas entuziazmit të një dite më parë në fushën ku ishin të pranishëm rreth 500 tifozë, paraditen e së martës trajneri i Kombëtares, Gianni de Biasi ka zgjedhur një fushë tepër të izoluar, shumë e vështirë për t’u gjetur, për të punuar me grupin e futbollistëve.

Këtë vendim e mori sepse nuk dëshironte që askush të zbulonte se çfarë është duke përgatitur për sfidën ndaj Danimarkës.

Në këtë seancë, trajneri ka provuar disa skema nga goditjet standarde apo goditjet nga këndi, me Xhakën që pritet të krosojë nga e djathta dhe Agollin nga e majta.

Lojtarët shtatlartë si Cana, Gjimshiti apo edhe Gashi do të jenë në brendësi të zonës në pritje të këtyre krosimeve, ndërsa me kokë do të provojnë të shënojnë.

Sa i përket goditjeve standarde, në varësi të pozicioneve, nëse do të duhet një goditje e fortë do të jetë Cikalleshi, Gashi ose Agolli të cilët mund të provojnë.

Po ashtu, janë provuar 11-metërshat me Etrit Berishën i cili është shndërruar në mur dhe që ka qenë shumë i vështirë për t’u mposhtur.

Elseid Hysaj vazhdon të shqetësojë trajnerin De Biasi. Ai vazhdon të punojë me përgatitësin fizik për të ndjekur protokollin e rehabilitimit për shkak të një kontraktimi në kofshën e djathtë.

Hysaj mbetet pikëpyetja e vetme për formacionin që De Biasi do të hedhë në fushën e lojës.

FOTO GALERI
1/1
Formacioni i mundshëm ndaj Danimarkës

Top Channel