Ecclestone mbulon shpenzimet financiare të Lotusit gjatë gushtit

02/09/2015 00:00

Bernie Ecclestone ka ndihmuar skuderinë Lotus, duke mbuluar shpenzimet për pagat e stafit të tij gjatë muajit gusht. Është vetë bosi i Formulës 1, që e ka konfirmuar këtë lajm, duke theksuar se gjithçka u bë për ta pasur këtë skuderi si në garën e Spa-së, ashtu edhe në atë të Italisë.

“E mendova si diçka të drejtë, të mbuloja shpenzimet për pagat e stafit të Lotusit, që të siguroja praninë e saj në garën e Spa dhe të Monzas, – tha Ecclestone për “The Times”, – por Lotus dhe Renault duhet të punojnë më shumë, në mënyrë që gjithçka të jetë në rregull”.

Skuderia nga Enston po përballet prej vitesh me probleme financiare dhe përpara dy javësh rrezikoi të mos merrte pjesë në garën e Belgjikës, për shkak të një vendimi të gjykatës, që fillimisht nuk e lejoi atë të udhëtonte drejt Spa, duke bërë që Ecclestone të hyjë në veprim për t’i ardhur menjëherë në ndihmë.

Top Channel