“I burgosur” tek United, portierit De Gea i ofrohet rinovimi

02/09/2015 00:00

Për portierin spanjoll David De Gea vazhdon të flitet, edhe pse merkatoja e transferimeve është mbyllur tashmë.

Situata e krijuar ditët e fundit, për shkak të vonesës së depozitimit të dokumentacionit, ka bërë që De Gea të fillojë të mendojë qysh tani për të ardhmen, se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.

Kontrata e De Geas me Manchester United skadon pikërisht verën e ardhshme, por klubi anglez duket se ka vendosur t’i ofrojë rinovimin e saj futbollistit 24-vjeçar.

Në këtë moment, kjo mundësi nuk është në mendjen e De Geas, që prej kohësh ka shfaqur dëshirën për t’u larguar nga “Old Trafford”. Megjithatë, trajneri Van Gaal mund të ndryshojë gjërat dhe mund të vendosë ta aktivizojë sërish atë.

Verën e ardhshme zhvillohet Europiani i Francës dhe De Gea ka nevojë të luajë, për të qenë në planet e trajnerit Del Bosque, ndaj dhe është pikërisht ky aspekt, që Manchester United do të kërkojë ta shfrytëzojë, për ta bindur lojtarin të pranojë rinovimin e kontratës.

Ndërkaq, në krahun tjetër, Reali i Madridit po mendon të presë sezonin e ardhshëm për të tentuar blerjen e De Geas, edhe pse nuk është e nevojshme një gjë e tillë. Sipas rregullores së FIFA-s, një lojtar që është në vitin e fundit të kontratës me një klub, mund të hyjë në bisedime e të firmosë më pas me një tjetër ekip, 6 muaj përpara përfundimit të saj.

Pra, Reali mund ta blejë De Gean në janar, pa paguar asgjë për kartonin dhe shërbimet e tij.

Top Channel