SHBA, skandali i FIFA-s ekspozohet në “Muzeun e mafias”

02/09/2015 00:00

Las Vegasi u bë vendi i një muzeu dedikuar mafias dhe aktiviteteve më kriminale në historinë e SHBA-ve.

Ajo që të bën përshtypje është se, në këtë muze, të cilësuar ndryshe “Mob Museum”, është ekspozuar edhe skandali i korrupsionit të FIFA-s, që e vendosi këtë institucion në krizën më të thellë të tij përgjatë 111 viteve histori.

Në “Mob Museum” u ekspozuan fotografi, artikuj dhe tregime të titulluara “Loja e bukur bëhet e shëmtuar”.

Në një komunikatë të drejtuesve të muzeut theksohet se, me këtë ekspozitë synohet që njerëzit të shohin qartë korrupsionin e madh që ka pushtuar FIFA-n.

Në fund të muajit maj, prokurorët e SHBA-ve kërkuan arrestimin e 7 zyrtarëve të lartë të FIFA-s mbi akuzat e marrjes së ryshfeteve në shifrën e 150 milionë dollarëve.

Ata bënë të ditur gjithashtu se, hetimet e tyre flasin edhe për skema të pastrimit të parave, evazion fiskal në miliona dollarë dhe zbulimin e disa llogarive të dyshimta bankare të zyrtarëve të organizmit më të lartë drejtues të futbollit botëror.

Top Channel