Serie A, “kafshatat” e pakapërdishme të merkatos

01/09/2015 00:00

Ndodh çdo pragsezoni futbollistik. Tri muajt e verës janë ato, gjatë të cilave flitet e flitet shumë për lëvizje futbollistësh, për merkato të bujshme dhe për emra “të mëdhenjsh” në qarkullim dhe nën objektivat e ekipeve të ndryshme.

Edhe kjo merkato nuk mund t’i shpëtonte kësaj “stuhie”. Disa prej lojtarëve mund të kenë qenë vetëm një hap transferimit, por në fund, për faktorë të ndryshëm, gjithçka ka dështuar.

Për të përmendur të parin e kësaj liste të gjatë, mjafton të themi Yaya Toure, i cili fillimisht iu premtua Mancinit si goditje “e madhe” tek Interi, por më pas u bind të qëndronte tek anglezët e Manchester Cityt. Tifozët zikaltër panë një ëndërr të parealizueshme, por ndoshta më mirë kështu, pasi presidenti Thohir ka afruar 9 lojtarë të tjerë, duke harruar lojtarin nga Bregu i Fildishtë apo edhe synimin tjetër Lavezzi.

Pas zikaltërve vjen Milani me “telenovelën” Ibrahimoviç. Më 10 qershor u zhvillua një bisedë telefonike mes Gallianit dhe Zlatanit, gjë që shtoi argumentet për një rikthim të mundshëm, por në shtëpinë e kuqezinjve nuk i kishin bërë mirë llogaritë me parizienët e PSG-së. Kërkonin shumë parà për suedezin, por që me shumë mundësi mund të afrohet me kosto zero gjatë verës së ardhshme.

Një fat i ngjashëm duket se ka ndjekur edhe Witselin dhe Sorianon. Galliani, mes goditjeve të pamundura për këtë sezon, koleksionon edhe atë të Jackson Martinez, për të cilin fillimisht u fol për një marrëveshje të mbyllur, e më pas përfundoi në Spanjë, tek ekipi i Simeones. Por, administratori i deleguar kuqezi nuk humbi kohë dhe afroi kolumbianin Bacca nga Sevija.

Flitet për dy ekipet milaneze, sepse u shfaqën shumë aktive gjatë kësaj merkatoje, por janë edhe ata, kampionët e Italisë, Juventus. Bardhezinjtë u përpoqën të afronin një emër “të madh” si Draxler, por pavarësisht përpjekjeve me Schalke 04, ky i fundit u desh të dorëzohej përballë ofertës së nënkampionëve të Gjermanisë, Wolfsburg. Oferta e tyre ishte ekonomikisht më e mirë sesa e bardhezinjve italianë. Fjalë pati edhe për Mario Gotzen, i cili pavarësisht “ok”-it që kishte për të vendosur vetë mbi të ardhmen, vështirë se gjigantët bavarezë mund të hiqnin dorë lehtë nga autori i golit të finales së Botërorit, Gjermani-Argjentinë.

Mes të tjerësh ka edhe emra “të vegjlish” si Astori-Napoli, me mbrojtësin që iu bashkua Fiorentinës; Quintero-Bologna përpara se të largohej drejt Rennes; Vrsaljko që vendosi të qëndronte te Sassuolo duke mos shkuar te Napoli apo Juve; si dhe Abel Hernandez që nuk veshi fanelën e Chievo Veronas.

Top Channel