Juventus, Hernanes pasardhësi i denjë i dyshes Pirlo-Vidal

01/09/2015 00:00

Juventusi duket se e ka gjetur “recetën”, pas shqetësimeve të para të vërejtura nga largimi i Pirlos e Vidalit, dhe këtë e ka bërë duke rrëmbyer një brazilian si Hernanes nga Interi.

Dyshja Pirlo-Vidal ka qenë tepër e rëndësishme gjatë sezonit të kaluar për bardhezinjtë, ndaj dhe një shije të hidhur ata lojtarë e kanë lënë me largimin e tyre, por drejtuesit e “Zonjës së vjetër” duket se nuk do të kenë arsye të “qajnë” për mungesën e një specialisti goditjesh dënimi, apo një gjuajtës nga distanca drejt portës kundërshtare.

“Profeti” brazilian Hernanes mund të konsiderohet me plot gojë si pasardhësi i Andrea Pirlos nga goditjet e lira, por ka edhe nuhatjen për gol e mund të shënojë gola të rëndësishëm nga distanca, siç bënte “mbreti Artur” (Arturo Vidal).

Shifrat në fakt flasin në favor të Hernanesit; ai është i vetmi në Serie A që ka shënuar nga goditjet e dënimit si me të majtën edhe me të djathtën, respektivisht 1 dhe 5 gola. Jo keq, edhe pse Pirlo është ende larg për t’u kapur me 13 golat e shënuar nga goditjet e dënimit për Juventusin.

Por edhe nëse marrim në konsideratë nuhatjen për gol në tërësi, mund të themi se që kur ka ardhur në Itali nga Brazili, “Profeti” ka shënuar 40 gola; 33 me Lacion dhe 7 me Interin. Vetëm Hamsik, sa u përket mesfushorëve në Serie A, ka mundur të realizojë më shumë sesa ai, plot 47 gola.

Top Channel