De Bruyne: Te Manchester City, për t’u përmirësuar më tej

31/08/2015 00:00

Kevin De Bruyne është zyrtarisht futbollist i Manchester City. Klubi anglez arriti të sigurojë shërbimin e futbollistit belg duke derdhur në arkat e Wolfsburg 55 milionë paundë dhe nënshkroi me futbollistin një kontratë 6-vjeçare.

Për De Bruyne kjo është një aventurë e dytë në Premier League, pas asaj të përjetuar te Chelsea. Në një intervistë të dhënë për televizionin zyrtar të Manchester City, De Bruyne deklaroi se erdhi te kjo skuadër për t’u përmirësuar akoma më shumë.

“Dua të arrij nivelet më të larta të mundshme si futbollist. Mendoj se gjëja më e rëndësishme në fund të sezonit është që të jemi të kënaqur me paraqitjet tona dhe ndoshta të festojmë edhe ndonjë titull”, tha belgu.

De Bruyne më pas theksoi se kampionati anglez është më i miri në botë, por nuk harroi të vlerësojë as Bundesligën: “Premier League është ndoshta kampionati më i mirë në botë, dhe pas saj është Bundesliga. Në Gjermani kam përjetuar momente fantastike pasi fituam tituj. Tani më jepet shansi për t’u përmirësuar si lojtar dhe shpresoj që të bëj një punë sa më të mirë këtu”.

Top Channel