Serie A, Roma mposht Juventusin 2-1

30/08/2015 00:00

Roma ka fituar sfidën përballë Juventusit 2-1, duke bërë që “zonja” të ketë edhe zyrtarisht startin më të dobët në kampionat në histori të saj, pasi asnjëherë nuk kishte ndodhur t’i humbiste dy ndeshjet e para.

Ende pa kaluar një minutë lojë, Roma pretendon një 11-metërsh, pasi Florezni pengohet në zonë nga Mandzukic, por Rizzoli tha se loja duhet të vazhdonte. Roma po dominonte Juven, derisa në të 24-n regjistrohet rasti më i mirë për verdhekuqtë, kur Pjaniç godet shtyllën.

Sidoqoftë, boshnjaku arrin të zhbllokojë sfidën në minutën e 61, përmes një ekzekutimi të shkëlqyer të goditjes së dënimit. Miqtë mundohen të kundërpërgjigjen, madje Allegri ndryshon edhe skemë me Pereyra e Cuadrado, por as kjo nuk iu ndihmon. 

Përveç tre lojtarëve të rëndësishëm në merkaton e verës, bardhezinjtë duket sikur kishin humbur edhe personalitetin dhe grintën në fushë. Kartoni i kuq i Evra në të 78-n ishte shenja e dorëzimit.

Vetëm pak sekonda më pas, Dzeko dyfishon shifrat me kokë për Romën, pas harkimit të Falque. Në momentin kur Juventusi zgjohet është tepër vonë.

Goli i Dybala erdhi në të 87-n, ndërsa i huazuari nga Arsenali, portieri polak Szcesny me një pritje të shkëlqyer i mohoi golin Bonuçit dhe i dhuroi tre pikë verdhekuqëve.

Top Channel