Asani e Seferi, dy shqiptarë të Maqedonisë për Kombëtaren

29/08/2015 00:00

Kombëtares pritet ti bashkohen të tjerë talente shqiptarë nga Maqedonia. Një prej tyre është Jasir Asani, një prej yjeve të rinj të kampionëve të Vardarit nga Shkupi.

Drejtuesit e Federatës së Futbollit kanë nisur interesimin për sulmuesin e krahut të majtë. 20-vjeçari është nën vëzhgim intensiv dhe synohet që shumë shpejt lojtari ti bashkohet skuadrës së drejtuar nga Gianni de Biasi.

Asani, i cili është pjesë e ekipit Shpresa të Maqedonisë, cilësohet si një prej talentëve më të mëdhenj të futbollit në vendin fqinj. Vitin e kaluar është përzgjedhur si “Lojtari i ri më i Mirë”, ndërsa janë të shumtë ata që besojnë se sulmuesi do të ndjekë gjurmët e një legjende si Artim Shaqiri. Në radarët e FSHF-së është edhe lojtari tjetër i talentuar nga Maqedonia, Taulant Seferi.

18-vjeçari është transferuar në janar 2015 të Young Boys në Zvicër. Vlera në merkato e mesfushorit të krahut të majtë përllogaritet në rreth 250 mijë euro.

Aktualisht, Naser Aliji i Vaduzit është i vetmi futbollist shqiptar nga Maqedonia që luan në Kombëtare. Mbrojtësi debutoi në miqësoren e fituar 1-0 përballë Francës gjatë muajit Qershor ku dha menjëherë garanci në krahun e majtë të mbrojtjes.

(/SuperSport)

Top Channel