Superiorja, Partizani shënon në minutën e 96 dhe fiton 2-1 ndaj Flamurtarit

28/08/2015 00:00

Është sërish Xhevahir Sukaj njeriu i ndeshjen për Partizanin. Shkodrani realizoi një 11-metërsh në minutën e 6 të shtesës, duke i dhuruar fitoren 2-1 të kuqve ndaj Flamurtarit.

Pjesa e parë është mbyllur pa gola, ku të dyja ekipet janë treguar të kujdesshme në prapavijë. Me nisjen e 45 minutave të dyta, Partizani u hodh në sulm për të gjetur golin e parë të takimit, por ishte Flamurtari që arriti të shënonte. Më pas Starova ndryshoi sulmin, duke hedhur në fushë Sukajn dhe italianin Morini që ndryshuan rrjedhën e lojës.

Trashi barazoi në minutën e 73-të, ndërsa Sukaj shënoi golin e dytë në minutën e 6 të shtesës, pas një penalltie të protestuar gjatë nga vlonjatët.

Për Partizanin kjo ishte fitorja e parë në kampionat pas barazimit të javës së parë, ndërsa Flamurtari koleksionoi humbjen e dytë.

Sfida ndërmjet Partizanit dhe Flamurtarit e luajtur në “Qemal Stafa” ishte ndeshja e parë e javës së dytë në kategorinë Superiore, ndërsa takimet e tjera do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën.

Top Channel