Gjykata e Apelit në Shkup, për më tepër se një vit, është duke e zvarritur shqyrtimin e ankesave të gjashtë shqiptarëve të dënuar me burg të përjetshëm, në të ashtuquajturin rasti “Monstra” nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Seanca e parë e Apelit për shqyrtimin e ankesave, që u anulua në fillim të muajit të kaluar, pritet të mbahet më 11 shtator.

Avokati Naser Raufi, thotë se Apeli duhet të paktën ta kthejë në rigjykim rastin “Monstra”, pasi vendimi i marrë nga Gjykata Penale një vit më parë, sipas tij, ishte i padrejtë dhe nuk bazohej në prova.

“Kemi prova shumë të forta që janë evidentuar në ankesat e të gjithë avokatëve. Këto ankesa hedhin poshtë aktgjykimin e gjykatës, që është i bazuar vetëm në dyshime dhe në asnjë provë materiale apo relevante verbale”, thotë avokati Naser Raufi.

Tre vite më parë, shtatë shqiptarët u akuzuan për vrasjen e 5 të rinjve maqedonas, ngjarje që ndodhi në hyrje të Shkupit në vitin 2012. Procesin gjyqësor kundër tyre, avokati Naser Raufi edhe një herë e ka cilësuar si skenarë të montuar nga qarqet politike maqedonase.

“E dini që bëhet fjalë për rast të montuar. Montimi ka filluar me dëshmitarin e koduar, i cili u gjet ditën e fundit para se t’i kalojë afati aktakuzës për lëndën”, thotë avokati.

Ndërkohë, në fillim të vitit, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, paralajmëroi se posedon materiale që hedhin dyshime të forta sa ky rast është montuar nga politika. Por, ndonëse kishte premtuar disa herë, ai nuk i publikoi asnjëherë ato materiale.

Vendimi për dënimin e gjashtë shqiptarëve me burg të përjetshëm, nxiti reagime të shumta vitin e kaluar dhe protesta masive.

Top Channel