Pavarësisht nëse do të ketë dhe cilat do të jenë rezultatet konkrete të Samitit të Vjenës, Ballkani kthehet me një fitore nga Austria. Ajo iu mor BE-së në ndeshjen e futbollit që parapriu punimet e samitit. Krerët e shteteve të rajonit, si rrallëherë ishin në të njëjtën skuadër për të njëjtin qëllim përballë asaj të Bashkimit Europian.

Unioni pati një fillimndeshje të mirë, por ishin vendet e Ballkanit ato që fituan në fund. Skuadra e Europës, që përbëhej nga ministri i Jashtëm i Austrisë dhe zyrtarët e lartë të BE-së, pavarësisht dukjes fillestare e një forme të mirë, u shpërbë shpejt duke humbur 2 me 4 përballë skuadrës së politikanëve të Ballkanit, që në këtë ndeshje ishin skuadra e emërtuar me qëllimin motivues “BE-ja e se ardhmes”.

Të qenit në të njëjtën skuadër i delegacioneve nga Ballkani nuk i ka shpëtuar komentetit të mediave europiane, kur kanë kujtuar se ata që sot luajnë bashkë, në fillim të 1990-s u përballën me njëri-tjetrin në një luftë të hidhur.

“Të mësuar me darka të gjata dhe negociata të zgjatura për ndarjen e kufirit mes tyre dhe vendosjen e bashkëpunimit, zyrtarët nga Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja vrapuan pak, por ishin me fat përballë kundërshtarëve që humbën shumë raste”, komenton Reuters.

Por ata që spikatën në fushën e lojës, ishin kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, që shënoi 2 nga 4 golat ballkanikë, sikundër lojtari i vetëm shqiptar në këtë ndeshje, ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, që komentoi rezultatin si nevojë të BE-së për energji të reja ose ndryshe “për këmbë të freskëta”.

Asnjë nga ministrat shqiptarë, si Ditmir Bushati, ashtu Arben Ahmetaj, pjesëmarrës në takimin e Vjenës, nuk ishin pjesë e kësaj loje, që pati për gjyqtar komisionerin për Zgjerim, Johanes Hahn, por edhe ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç. Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama sqaroi mungesën e tij në intervistën për gazetën austriake “Standard”.

“Unë nuk jam lojtar futbolli, por lojtar basketbolli dhe të tjerët nuk janë kaq të gjatë sa të luajnë me mua, ose unë nuk jam aq i vogël sa të luaj me ta. Nëse luaj dua të bëj gol dhe unë nuk mund të…”, tha Rama.

Aleksandër Vuçiç, kryeministri serb nuk luajti gjithashtu, por ndoqi ndeshjen nga pankina duke mos i shpëtuar interesimit të medias për rezultatin.

Vendi organizator, Austria, nuk i shpëtoi kritikës së medias për gjetjen kohës së lirë për ndeshje futbolli kur Europa po vuan krizën e emigrantëve.

“Nuk ka asgjë të keqe të bësh bashkë vendet e Ballkanit. Ky ka qenë një rajon në konflikte serioze vetëm një dekadë më parë. Tani ata luajnë në të njëjtën skuadër dhe kjo është një gjë shumë e mirë”, tha ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Curz.

Top Channel