Refugjatët, duhet zgjidhje europiane. Serbët kërkojnë më shumë financime për menaxhimin

27/08/2015 00:00

Në përfundim të Samitit të ministrave të Jashtëm, ministri i Punëvë të Jashtme të Austrisë, në një konferencë për shtyp tha se, nëse ne – referuar Bashkimit Europian, – nuk do të jemi në gjendje për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për refugjatët, atëherë më shumë vende si Hungaria apo Danimarka, të cilat po përballen me këtë situatë, do t’iu duhet ta zgjidhin krizën me masa individuale, duke përdorur nismat e tyre.

“Unë shpresoj që do të mund t’i japim një përgjigje europiane. Dua të theksoj se, personalisht besoj që ne do të mund të arrimë një zgjidhje europiane për krizën e emigrantëve, së bashku”, tha Sebastian Kurz.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, nga ana e tij kritikoi vendet europiane që po qëndrojnë indiferente ndaj krizës.

“Të gjithë e dini se ka një numër vendesh në BE, të cilat janë kundër shpërndarjes së emigrantëve. Por, pa një shpërndarje të drejtë, rrezikohet pranimi prej atyre vendeve, të cilat kanë pranuar një numër tepër të madh deri më tani. Prandaj duhet vendosmëri nga të gjitha shtetet, për të ndërmarrë regjistrimin e shpejtë”, tha Steinmeier.

Ivica Daçiç, në konferencën për shtyp tha se, Serbia dhe Maqedonia nuk mund ta zgjidhin këtë problem me një milion euro të planifikuara për t’ua dhënë këtyre dy vendeve.

“Ju keni një problem, por na kërkoni që Serbia të sjellë një plan për emigrantët. Fillimisht vendet e BE-së duhet të ndërtojnë një plan veprimi, e më pas të kërkojnë planin tonë”, tha Ivica Daçiç.

Top Channel