“Telenovela” e Vjenës me Ballkanin; BE nuk ka dëshirë të pranojë shtete gjysmë të dështuara

27/08/2015 00:00

Konferencën e dytë për Ballkanin Perëndimor në Vjenë, analisti Dragoslav Dedoviç e sheh me pesimizëm. Mbledhjen e ministrave nga e gjithë Europa e cilëson një takim të prapambetjes së vazhdueshme në rajon me arrogancën e pushtetit  në Perëndim.

“Ballkani Perëndimor” është një term teknik, që BE-ja e përdor që prej 17 vitesh, kujton opinionisti, i cituar nga mediat gjermane. Ai përfshin shtetet e dala nga ish-Jugosllavia. Meqenëse Sllovenia u përjashtua nga ky grup, si një vend shumë perëndimor dhe me më shumë mirëqenie, atëhere grupit iu shtua edhe një tjetër vend tipik ballkanik, Shqipëria.

Sigurisht, në Vjenë të gjithë do të bëjnë sikur takimi është një përsëritje rutinë e formatit të krijuar para një viti në Berlin, qëllimi i të cilit është afrimi i shpejtë i rajonit në BE dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal.

Por e vërteta – sipas Dedoviç, – është se Gjermania e të tjerët nuk kanë aspak dëshirë të pranojnë në bllokun gjysmë të përfunduar, shtete të varfra gjysmë të dështuara. Askush nuk do ta thotë këtë sinqerisht.

Në vend të kësaj, do të përsëritet në formën e një rituali lutjeje, formula e samitit të BE-së në Selanik, në 2003-shin: “E ardhmja e shteteve të Ballkanit është në Bashkimin Europian”.

Në Ballkan ekzistojnë ende imazhet e vjetra të armikut; marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë, nga njëra anë, dhe Kroacisë e Bosnjë-Hercegovinës, nga ana tjetër, në 12 muajt e fundit janë përkeqësuar edhe më tej.

Marrëveshja e mbivlerësuar e Brukselit, që u arrit mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2013 me ndërmjetësimin e BE-së, deri më sot në shumë pika nuk është zbatuar. Është paradoksale, por e vërtetë: BE-ja investon përmes EULEX-it për shtetin ligjor në protektoratin e vet Kosovë, ndërkohë që shumë qytetarë të Kosovës kërkojnë të drejtën e tyre për të aplikuar për azil në Gjermani.

Nga ana tjetër, është edhe gjendja katastrofale ekonomike. Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk e ka arritur sërish nivelin e zhvillimit ekonomik të vitit 1989. Madje, edhe në anëtaren e re të BE-së, Kroacinë, ekonomia është në tkurrje nga viti 2009, ndërsa atje ku shifrat ekonomike duken disi më mirë, si në Maqedoni e Mal të Zi, jetën politike e paralizon një strukturë pushteti, që e konsideron veten të pagabueshme.

Top Channel