Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, ka ngritur iniciativë që në sheshin kryesor në Shkup, aty ku dikur ndodheshin themelet e shtëpisë së Nënë Terezës, të ndërtohet një muze për humanisten shqiptare.

Nisma u shpalos në 105 vjetorin e lindjes së saj, ndërsa në ditët në vijim pritet të dorëzohet në Qeveri.

“Tashmë kur është marrë vendimi që të ndërtohet një shtatore e Nënë Terezës në sheshin ‘Makedonija’, ITSHKSH propozon që –  edhe në emër të humanizmit dhe të kursimit – ashtu siç dëshironte shpirti i Nënës, ky projekt kaq i shtrenjtë të zëvendësohet me këtë shtëpi muze e cila do të ishte jo vetëm e mjaftueshme për të ruajtur kujtimin e Nënës Terezë në Shkup, por njëherazi do të ishte freskim i memories kolektive për këtë shtëpi të rëndësishme të qytetit tonë dhe do të paraqiste shtëpinë më emblematike të Shkupit dhe të historisë së tij”, shprehet Sefer Tahiri, ITSHKSH.

Në 105 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, u bënë homazhe pranë pllakës përkujtimore që shënon vendin ku lindi humanistja dhe u mbajt një tribunë për jetën dhe veprën e saj. Me këtë rast, historianët dhe intelektualët folën edhe mbi përpjekjet e vazhdueshme për tjetërsimin e identitetit të humanistes dhe shpalosën argumente të shumta për prejardhjen e saj të pastër shqiptare.

Në këto aktivitete morën pjesë edhe ambasadori i Kosovës, Ylber Hysa dhe zv/ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Ahmet Lala.

Top Channel