Çmenduri e Manchester Utd për Neymar, ofron 180 milionë euro

24/08/2015 00:00

Pas dështimit për blerjen e Pedros, i cili zgjodhi rivalët e Chelsea-t, në fundjavë u fol për një interesim të Manchester United për asin brazilian të Barcelonës, Neymar Jr.

Gjithçka u përmend në kuadrin e thashethemeve dhe asnjë media nuk doli me një shifër konkrete. Këtë të hënë, mediat braziliane mbërrijnë me një të tillë. “Globo Esporte” shkruan se “Djajtë e Kuq” kanë bërë një ofertë rekord prej 180 milionë eurosh për yllin brazilian të katalanasve.

Lajmi është pak i besueshëm, megjithatë mbetet për t’u përmendur se “Globo Esporte” ishte e para që raportoi fillimisht kontaktet dhe më pas kalimin e Roberti Firmino-s tek Liverpuli.

Nuk dihet sesa mund të jetë paga faraonike që Manchester United i ka propozuar vetë lojtarit, por ajo që dihet është se nëse do të realizohej, blerja do të ishte më e shtrenjta e të gjitha kohërave dhe do të zbriste nga froni atë të Gareth Bale, që u ble për 100 milionë euro nga Reali i Madridit.

Gjithçka mbetet në kuadrin e zërave, por…ku ka zë, s’është pa gjë!

Top Channel