Maqedoni, Gruevski kundërshton propozimin e opozitës për modelin zgjedhor

24/08/2015 00:00

Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski është shprehur kundër propozimit për shndërrimin e vendit në një njësi zgjedhore. Sipas tij, nëse duhet ndryshuar modeli aktual zgjedhor, atëherë është më mirë të kalohet në sistemin e shumicës.

“Nëse mendojnë se ky model nuk është më i miri dhe se ka ardhur koha për një model të ri zgjedhor, propozimi ynë është të kalojmë në modelin e shumicës, që funksionon me sukses në shumë shtete. Ne e kemi pasur më herët në vendin tonë dhe e kemi aktualisht gjatë zgjedhjes së kryetarëve të komunave”, ka deklaruar Nikola Gruevski.

Këtij qëndrimi, Gruevski i ka shtuar edhe propozimin, që partisë fituese në zgjedhje t’i jepen edhe 17 mandate plotësuese, me qëllim që të formojë një qeveri të qëndrueshme.

“Duhet të sjellim një sistem që ekziston në disa shtete; që partia fituese të marrë le të themi edhe 17 deputetë shtesë, në mënyrë që qeveria të ketë qëndrueshmëri për të punuar”, është shprehur më tej kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski.

Kundër propozimit, që Maqedonia të shpallet një njësi zgjedhore, janë shprehur vetëm VMRO-DPMNE-ja e Gruevskit dhe BDI-ja e Ali Ahmetit, ndërsa të gjitha partitë opozitare, përfshi LSDM-në dhe PDSH-në janë shprehur në favor të tij.

Top Channel