Varoufakis: Greqia, laboratori gjerman; qëllimi i tyre, goditja e ekonomisë franceze

23/08/2015 00:00

Provokues, idealist, arrogant. Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave greke të magjeps apo të bezdis?

Kjo është fjalia e parë e një artikulli që “Le Monde” i ka kushtuar një interviste me të dhe mënyrën si e shikon marrëveshjen e re. Por ajo çka të bën më shumë përshtypje teksa e lexon është akuza që ai hedh ndaj shtetit gjerman dhe kryesisht ndaj ministrit të saj të financave, Wolfgang Schauble.

Marrëveshjen e shtetit helen me partnerët ndërkombëtarë, Varoufakis e shikon si një kapitullim. Sipas tij, me këto kushte Gjermania po kërkon daljen e Athinës nga Eurozona me objektivin e vetëm që të godasë Francën.

“Nëse Greqia ka ndërmend ta aplikojë këtë memorandum dhe reformat që e shoqërojnë atë nuk do pasojë tjetër gjë përveç “Grexit”. Kjo ndodh, ngaqë ky program është konceptuar që prej fillimit për rrënimin e ekonomisë tonë. Duket qartë se në fund ne nuk mund t’i përmbahemi dot premtimeve dhe kjo do i japë mundësinë Schauble-s të na akuzojë dhe të presë ndihmat ndaj vendit tonë. Objektivi, nuk është tjetër veç daljes së Greqisë nga Euro”, është shprehur Varoufakis.

Po përse do e donte ministri gjerman këtë rezultat aspak pozitiv për të ardhmen e Europës?

“Per t’iu vënë pas Francës. Shteti social francez, të drejtat e tij të punësimit dhe ndërmarrjet e saj janë objektivi i vërtetë i ministrit të Financave të Gjermanisë. Ai e konsideron Greqinë, në këtë rast si një laborator osteriteti, ku mund të eksperimentojë memorandumin e tij para se ta eksportojë atë. Frika e një “Grexit” ka si qëllim rezistencën e shtetit francez”, shton ish-ministrit grek i Financave.

Sipas Varoufakis, objektivi i ish-Trojkës dhe memorandumi i ri është ai i gjunjëzimit të vendit, duke mos i bërë të aftë të paguajnë borxhet që kanë.

Top Channel