Mundja, peticion ministres Nikolla

21/08/2015 00:00

Prej muajsh tashmë marrëdhënia midis Ministrisë së Sporteve dhe Federatës Shqiptare të Mundjes mbetet e ngirë dhe kjo federatë jo vetëm që nuk njihet, por është edhe duke u sabotuar në aktivitetet e saj kombëtare e ndërkombëtare.

Këtë herë trajnerët e mbi 20 klubeve të mundjes kanë vendosur të bëjnë një peticion ndaj ministres së Sporteve, Lindita Nikolla.

“Zonja Lindita Nikolli, ministre e Arsimit dhe Sportit. Është e keqinformuar me dashje për interesa personale edhe politike nga Drejtoria e Sportit. Ka bllokuar grantet e Federatës Shqiptare të Mundjes me një urdhër të paligjshëm duke penguar kështu zhvillimin e veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare”, u shpreh Sait Prizreni, trajner. 

Martin Biba, president i rizgjedhur në zgjedhjet e fundit, ka vendosur gjithashtu të bëjë me dije se aktivitetet kombëtare do të mbyllen sipas programit për këtë vit, ndërkohë që i rikujton ministres Nikolla që me këtë formë bllokimi, po rrezikohet pjesëmarrja e mundësve shqiptarë në Botërorin e shtatorit në Amerikë, kualifikues ky për Olimpiadën “Brazil 2016”.

“Komiteti Drejtues ka marrë angazhimet që aktivitetet kombëtare të zhvillohen deri në fund të vitit sipas kalendarit, pavarësisht nga granti i bllokuar, por ajo që dua të theksoj është që jemi një vit para Lojërave Olimpike. Asnjë inciativë nuk ka, as për grumbillim sportistësh, por ka vetëm inciativë për bllokim granti dhe fondi. Vajtja në Botëror është shumë e rëndësishme për shkak të kualifikimit, por ministrja ka zgjedhur të heshtë, edhe drejtori i Sportit, tani që u takova me të, vetëm heshtje”, deklaroi Martin Biba, president i FSHM-së.

Sportistët të cilët pritet të marrin pjesë në Botëror do të jenë 3 kampionët Islam Islamaj, Vilson Ndregjoni dhe Egzon Shala.

Top Channel