Romagnoli: Mbaj veshur 13-n e idhullit tim Nesta. Por kam ëndërruar të isha Zidane

21/08/2015 00:00

Alessandro Nesta nuk i preferonte shumë intervistat dhe sa herë që kalonte në zonën e medias pas ndeshjeve, e gjente gjithnjë një justifikim për t’u larguar. Sigurisht, një tjetër pikë e përbashkët mes tij dhe Alessio Romagnolit, pas numrit të zgjedhur prej blerjes më të re të Milanit për këtë sezon.

Në fund të një interviste për “Gazzetta dello Sport”, talenti i ri i mbrojtjes kuqezi dhe Italisë, mes batutave të shumta lëshon edhe një “përshëndetje” ironike. “Intervistën e radhës e lëmë pas 7-8 muajsh, sepse nuk preferoj shumë të flas, jeni dakord?”.

Në rrëfimin e tij jo shumë të gjatë në prag të nisjes së kampionatit italian të Serie A, Romagnoli flet për Mihajloviç, për Romën, për shokët e repartit difensiv, për paratë e derdhura për të, për numrin 13, por edhe për një ëndërr të tijën kur ishte fëmijë.

Sa i përket trajnerit të ri – me të cilin ai është ribashkuar, pasi ka luajtur edhe te Sampdoria kur trajner i këtij ekipi ishte serbi i Milanit, – Mihajloviç i duket më i përmirësuar në aspektet e fushës së blertë si ndërtimi i taktikave të lojës apo studimi i kundërshtarëve. “Nuk u mundua gjatë të më bindte për të ardhur te Milani, mjaftoi vetëm një SMS”, thotë ish-lojtari i Romës.

E meqë u përmend ekipi nga kryeqyteti, lojtari thotë se për arsye të ndryshme, të cilat nuk i citon, ai dhe klubi vendosën së bashku që të ndaheshin. “Nuk më mjaftojnë premtimet për të qenë titullar. Edhe nëse Garcia do ta bënte diçka të tillë nuk do të qëndroja te Roma, sepse nuk më bindin premtimet, por faktet”.

Gjithsesi, si shumë lojtarë të tjerë të rinj, kur zbresin në fushë shpresojnë të luajnë në krah të një kolegu më ekspert. Gjë që ai te Milani ai mund ta bëjë me Mexesin apo Alex, por faktet e deritanishme kanë treguar se po luan në qendër të mbrojtjes së bashku me Rodrigo Ely. “Sigurisht më pëlqen, por duhet të dini se edhe Ely është më i madh sesa unë”, shprehet lojtari duke buzëqeshur. Realisht kështu është, pasi italiani është i lindur në 1995-n, ndërsa braziliani në 1993-shin.

Te vetja e tij sheh ende vend për përmirësim. Sidomos në aspektin fizik dhe në ndërtimin e lojës, por edhe në personalitet. “Gjithsesi kam shumë kohë përpara, deri nga mosha 35-36 vjeç shpresoj t’i arrij këto përmirësime”.

Shuma prej 25 milionë eurosh, që Milani u desh të paguante për të kundrejt Romës peshon shumë, por jo aq sa ta shpërqëndrojë mbrojtësin italian. “Sigurisht që është një përgjegjësi më shumë, por nuk do të ketë aspak ndikim në performancat e mia”.

Te kuqezinjtë ai do të mbajë mbi shpinë fanelën me numrin 13, dikur e veshur nga Nesta, një idhull i tij, por që për lojtarin nuk i jep përgjegjësi ekstra. Në fund zbulon edhe ëndrrën e tij të vërtetë. “Kur isha i vogël doja të luaja si mesfushor, sepse ndieja se mund të luaja shumë mirë me topin. Isha i çmendur pas Zidane për shkak të tipit unik të prekjes së topit. Por trajneri im te të rinjtë e Romës më zhvendosi në mbrojtje, sepse isha i gjatë dhe në atë ekip kishim shumë mesfushorë e sulmues”, rrëfen Romagnoli.

Top Channel