Tsipras, lojë politike me krizën. Analistët: Do të pastrojë partinë nga marksistët

21/08/2015 00:00

Dorëheqja e Alexis Tsipras po komentohet si surpriza e radhës nga një udhëheqës, që tashmë e ka bërë rrugë të befasojë të tjerët.

“Në fillim ishte mocioni i besimit në Parlament – kujton analisti Jani Papadimitriou, i cituar nga mediat gjermane. – Pastaj, kërkoi një seancë të jashtëzakonshme për reformat, e në fund, krejt papritur dorëhiqet nga drejtimi i ekzekutivit”.

Heshtja e Presidentit, Prokopis Pavlopoulos, ka ushqyer spekulimet se, mandatin për krijimin e qeverisë mund ta marrin deri edhe radikalët e djathtë. “Në politikën greke – shprehet Papadimitriou, – nuk përjashtohet asgjë”.

Por më interesantja në analizën e tij është përgjigjja që i jep pyetjes, se “përse po e jep dorëheqjen Tsipras”; sepse nuk bën dot ndryshe, – arsyeton opinionisti.

Tsipras është kryetar partie, por pas humbjes së mbështetjes nga dhjetëra deputetë të radikalëve të majtë, ai praktikisht nuk ka më parti.

Zgjedhjet e reja i japin mundësinë që t’i largojë kundërshtarët nga lista, ndërsa kanë edhe një përparësi tjetër: nuk u japin kohë radikalëve të majtë, të grumbulluar rreth ish-ministrit të Energjisë Lafazanis, për të krijuar një front tjetër e për të fituar vota, që do ta dobësonin Tsiprasin.

Kjo është arsyeja, përse Lafazanis u ankua aq fort të enjten, lidhur me periudhën e shkurtër në dispozicion për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Dhe bëhet fjalë për të njëjtin person, që nuk kishte asnjë kundërshtim ndaj mbajtjes së referendumit brenda vetëm 7 ditësh.

Në këndvështrimin e Papadimitriout, nëse Tsipras e shfrytëzon këtë moment dhe i heq qafe forcat radikale të majta në Syriza, ai do të dëshmonte edhe njëherë talentin për manovrime taktike. Çështja është se, votimi i tretë brenda vetëm 7 muajsh nuk i zgjidh problemet financiare të vendit, përkundrazi i rëndon, pasi ato kushtojnë shumë.

Top Channel