Ndizet skena politike greke, opozita tenton formimin e qeverisë; në lojë edhe Agimi i Artë

21/08/2015 00:00

Skena politike greke “ka marrë zjarr” pasi kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka dhënë dorëheqjen bashkë me kabinetin e tij mbrëmjen e së enjtes, një levizje taktike për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme, nëpërmjet të cilave ai do të spastrojë gati një të tretën e grupit të tij parlamentar nga elementet marksistë që nuk e mbështesin më.

“Do doja të jepja dorëheqjen time dhe te qeverisë duke shprehur besimin se proceset kushtetuese do të vihen menjëherë në lëvizje që të shkojmë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe si gjithnje  te qyteteruar në zgjedhje, që populli grek mund të gjykoje se në çfarë mënyre vendi duhet të udhëhiqet shpejt dhe i sigurtë drejt daljes nga kriza”, tha Tsipras.

Por jo gjithçka duket se po shkon sipas parashikimeve të kryeministrit grek dhe data e zgjedhjeve, që përllogaritej në 20 shtator, mund të shtyhet me një ose dy javë në varësi të zhvillimeve politike. Megjithëse nuk kanë asnjë mundësi, kundërshtarët opozitarë të kryeministrit Tsipras, lideri i konservatorëve  që numërojnë vetëm 76 deputetë dhe ai i partisë Lumi me 17 ligjvënës, kanë deklaruar njëri pas tjetrit se do të shfrytëzojnë mandatin treditor për të krijuar një kabinet të ri.

“Si udhëheqës i ardhshëm i partisë me shumicën më të madhe e konsideroj si detyrim dhe përgjegjësi politike të shfrytëzoj  të gjitha opsionet në rast se parlamenti i tanishëm mund të japë një zgjidhje”, deklaroi Evangelos Meimarakis, kryetar i Demokracisë së Re.

Ai ka shigjetuar me një gjuhë të ashpër kryeministrin Tsipras dhe mëngjesin e së premtes, i ftuar nga Presidenti Pavlopoulos ka marrë mandatin dhe ka filluar bisedimet me partitë e tjera. Më pas pritet që mandati për formimin e qeverisë së re të shkoje tek lideri i partisë “Lumi”, Stavros Theodhorakis, partia e tretë në parlament, që ka të njëjtin numër deputetësh me Agimin e Artë, si dhe tek udhëheqësi i neonazistëve, duke e bërë edhe më komplekse situatën politike në vend.

Në lojë kanë hyrë edhe elementët marksistë në gjirin e Radikalëve të Majtë, që me në krye ish-ministrin e Energjitikës, Panagiotis Lafazanis,tashmë kundërshtarin më të fortë të Tsiprasit, kanë deklaruar se do të krijojnë një forcë të re politike të pavarur në parlament.

Sipas kancelares Merkel, dorëheqja e Tsipras është pjesë e zgjidhjes politike dhe jo e krizës ekonomike.Kryeministri grek ka dhënë dorëheqjen pasi siguroi që Greqia të marrë nga kreditorët e saj këstin e parë nga paketa e ndihmës prej 86 mld euro. Nga 26 mld euro të këtij kësti, 10 mld kanë shkuar për rikapitalizimin e bankave, 12 të tjera për detyrimet ndaj kreditorëve dhe vetëm 1 mld ka mbetur për nevojat e shtetit grek.

Top Channel