Samiti i Vjenës, Trifunoviç: Do të diskutojmë për autostradën Nish-Prishtinë-Durrës

19/08/2015 00:00

Projekti për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës do të jetë njëra nga çështjet kryesore që do të diskutohet në Samitin e e vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Vjenë më 27 gusht.

Sekretari i Ministrisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Dejan Trifunoviç ka thënë se shteti serb është përgatitur për këtë samit, ndërsa është shprehur se ndërtimi i autostradës do të mund të nisë në vitin 2017.

“Njëri nga projektet që do të jetë në fokusin e Samitit të Vjenës është ai i autostradës Nish-Prishtinë-Durrës. Janë tre palë të interesuara në këtë projekt, Serbia, Shqipëria dhe Bashkimi Europian, ndërsa në total rruga është 384 kilometra”, është shprehur Trifunoviç, duke “harruar” Kosovën si palë interesi në këtë projekt.

Megjithatë, ai ka thënë se realizimi i projektit do të bazohet në një bashkëpunim të ngushtë rajonal, ndërsa është shumë i rëndësishëm për ekonominë serbe, pasi do të shkurtohet rruga drejt porteve të Durrësit dhe Vlorës.

Më herët, kryeministri serb Aleksander Vuçiç kishte thënë se qeveria e tij ishte gati që të ndajë 350 milionë euro për ndërtimin e kësaj autostrade, ndërkohë që projekti kap vlerën deri në 650 milionë euro. Por, sipas tij, qeveria do të kërkojë fonde nga BE-ja për ta realizuar në tërësi projektin.

Top Channel