Partitë e vogla: Maqedonia, një njësi zgjedhore. PPD: Është për të mirën e shqiptarëve

19/08/2015 00:00

Katër partitë më të mëdha parlamentare i vazhdojnë takimet ku diskutohet edhe për Kodin Zgjedhor dhe modalitetet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ndërkohë që përfaqësuesit e partive më të vogla kanë dalë me propozimin që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore dhe të dalë në zgjedhje me lista të hapura.

Sipas Partisë për Prosperitet Demokratik, shqiptarët janë ata që më së shumti dëmtohen nga modeli aktual i votimit në 6 njësi zgjedhore.

“Sipas një analize që kemi bërë, rezulton se brenda ciklit zgjedhor, trupi votues shqiptar humb mbi 30-40 mijë votues, që shpërndahen nëpër partitë e tjera. Partitë e mëdha i shfrytëzojnë këto numra, këta votues shqiptarë”, ka thënë për mediat Nexhat Bexheti, kryetar i PPD-së.

PPD ka kërkuar që partitë shqiptare, pjesëmarrëse në bisedimet ndërpartiake, ta shtrojnë kërkesën në takimet e grupeve të punës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që Maqedonia të shpallet një njësi zgjedhore.

Ndërkohë, shumë analistë shqiptarë janë skeptikë e pohojnë se edhe BDI dhe PDSH do të jenë kundër kësaj ideje dhe do të bëjnë çmos që ta pengojnë faktorizimin e ndonjë partie të tretë shqiptare.

Top Channel