Proces dekriminalizimi edhe në Maqedoni? Ndërkombëtarët ofrojnë “listat e zeza”

19/08/2015 00:00

Procesi i dekriminalizimit të politikës dhe biznesit duket se përveç Shqipërisë do të mbërthejë edhe vendin fqinj të Maqedonisë, atje ku mediat, duke u bazuar në burime diplomatike të paidentifikuara, raportojnë se vendi po përballet me presionin ndërkombëtar për pastrimin e skenës politike dhe fushës së biznesit nga elementë të inkriminuar.

Gjithnjë sipas raportimeve të mediave, bëhet e ditur se ndërkombëtarët u kanë dorëzuar tashmë autoriteteve politike maqedonase një “listë të zezë” me 50 emrat e atyre që duhen larguar. Një numër i madh i të përfshirëve në këtë listë priten të jenë objekt hetimi edhe nga prokurori special, i cili duhet zgjedhur deri më 15 shtator.

Veç listës me emrat e të inkriminuarve që duhen spastruar nga politika dhe biznesi, mediat flasin edhe për një tjetër listë, ku janë të përfshirë emrat e disa oligarkëve me prejardhje të dyshimtë pasurie.
 
Por, mediat maqedonase shkojnë edhe më larg, kur spekulojnë se në kuadër të kësaj fushate për pastrimin e jetës publike në Maqedoni nga emrat e të kriminalizuarve, mund të jenë edhe ndryshimet e fundit në strukturat komanduese ushtarake, të ndërmarra para pak ditësh, si dhe ndryshimet e ndodhura më herët në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike.

Top Channel