Tsipras, në dilemë për zgjedhjet e parakohshme. Para apo pas rishikimit të parë

19/08/2015 00:00

Kryeministri grek, Alexis Tsipras ende nuk e ka vendosur se kur do të duhet të thërrasë zgjedhjet e parakohshme, bën të ditur një ministër i kabinetit këtë të mërkurë, pas debateve dhe përçarjes brenda partisë së tij në pushtet, për shkak të miratimit të marrëveshjes së re të shpëtimit.

Kabineti qeveritar ka folur haptazi në lidhje me mundësitë reale të zhvillimit të një votëbesimi, që do t’u hapte rrugën edhe zgjedhjeve të parakohshme më pas, duke qenë se Tsipras është mbështetur ndjeshëm në votat e deputetëve opozitarë për të miratuar gjatë së premtes së kaluar marrëveshjen e re prej 86 miliardë eurosh.

Gjithsesi, zëvendësministri i Kulturës, Nikos Xydakis, ka hedhur poshtë spekulimet se Tsipras do të veprojë shumë shpejt pasi Greqia të kryejë këstin e borxhit prej 3,2 miliardë eurosh ndaj Bankës Qendrore Europiane ditën e enjte, sigurisht duke përdorur fonde nga programi i shpëtimit të rënë dakord në 14 gusht.

Xydakis përmendi periudhën e rishikimit të parë të progresit të bërë bazuar mbi programin e ri të ndihmës, që huadhënësit ndërkombëtarë të Greqisë pritet ta zhvillojnë në muajin tetor. “Ka dy mënyra sesi mund të përforcojmë qeverinë: zgjedhje të parakohshme përpara ose pas rishikimit të parë të ndihmës. Është një vendim që i takon kryeministrit Tsipras ta marrë”, tha ai për televizionin grek ERT.

Greqisë i është shmangur dy herë falimenti që prej vitit 2010, sigurisht me ndihmat e ofruara nga Eurozona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Tsipras arriti të siguronte programin e tretë të shpëtimit, duke u angazhuar për ndërmarrjen e reformave dhe politikave të ashpra të shtrëngimit, të cilat janë aq të rënda saqë disa ligjvënës të koalicionit të radikalëve të majtë të Syrizas refuzuan marrëveshjen në Parlament. Disa prej tyre kërcënojnë me largim nga partia, gjë që ka detyruar opozitën të lëshojë akuza sikur Tsiprasi – i cili vijon të mbetet më popullori pavarësisht kthesës 180 gradëshe në politikat e tij ndaj masave shtrënguese, – dëshiron të mbajë zgjedhje të parakohshme vetëm për t’u përballur me rebelimin e brendshëm në qeveri.

Xydakis shprehet se edhe një gjë e tillë nuk qëndron. “Ajo që është më e rëndësishme në këtë fazë, është që qeveria të shërbejë ndaj interesave të popullit grek dhe jo atyre të një partie”, tha ai. “Tsipras është kryeministër i 11 milionë grekëve, jo vetëm 30 mijë anëtarëve të Syrizas”.

I pyetur se cili do të ishte slogani, nëse qeveria do të vendosë të hyjë në zgjedhje të parakohshme, ai deklaroi: “Po afrohet shpresa”, duke përdorur të njëjtin slogan fushate të Syrizas si në zgjedhjet e janarit, të cilat sollën në pushtet radikalët e majtë.

Top Channel