Shitja e Kovacic ndihmoi Interin në aspektin financiar

19/08/2015 00:00

Shitja e Mateo Kovacic te Reali i Madridit për 35 milionë euro ishte një ndihmë e madhe për Interin në aspektin financiar. Së pari, ky transferim përmirëson ndjeshëm bilancin e klubit për sezonin 2015/2016, dhe së dyti, kjo lëvizje bën që Thohir të evitojë kryerjen e shpenzimeve të tjera në merkaton e transferimeve.

Interi u përball me një situatë të cilën nuk e kishte përjetuar kurrë më parë: jashtë aktiviteteve evropiane dhe me një deficit prej 100 milionë eurosh. Megjithatë, puna për të rindërtuar një skuadër të re nuk u ndal. Kondogbia ishte i vetmi deri tani të cilin Interi e ka plotësisht tijin, duke shpenzuar 30 milionë euro. Pjesa tjetër janë marrë në formë huazimi, por që kushtojnë 70 milionë Euro. Drejtuesit e klubit ziklaltër kanë punuar edhe në lidhje me shitjen e futbollistëve. Interi ka bërë disa largime për shifra jo shumë të rëndësishme, për të vepruar më pas Shaqirin që shkoi te Stoke për 17 milionë euro. Megjithatë, zikaltrit duhej të bënin një sakrificë më të madhe dhe ai që u “flijua” në merkato ishte Kovacic, i cili i dha një dorë Interit edhe përsa i përket “Fair Play Financiar”.

Interi e mori Kovacic në vitin 2013 nga Dinamo e Zagrebit duke shpenzuar 14.6 milionë euro. Me shitjen e tij te Reali, Interi siguroi një plusvalencë prej 28 milionë eurosh, shifër kjo që mund të ndihmojë jo pak klubin zikaltër që të çojë nivelin e humbjeve në bilanc në 30 milionë euro, siç kërkohet nga UEFA. Përsa i përket Thohir dhe lëvizjeve në merkato, indoneziani vetëm pak muaj më parë akordoi një hua prej 60 milionë eurosh për klubin, shifër kjo që mund të rritej akoma më shumë nëse Kovacic nuk do ishte transferuar në kryeqytetin spanjoll.

Top Channel