OKB i kërkon Greqisë të marrë përgjegjësinë e krizës së refugjatëve

19/08/2015 00:00

Cunam i pandalshëm njerëzish konsiderohen tashmë valët e emigrantëve që vijnë çdo ditë në Greqi nga zonat e nxehta të luftës në Lindjen e Mesme.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët që bën me dije se 160 000 emigrantë kanë vërshuar drejt ishujve greke këtë vit deri më 15 gusht, apelon ndaj qeverisë greke të marrë përgjegjësinë për organizimin dhe pritjen e tyre, në mënyrë që të bëjë të mundur edhe ndihmën humanitare të organizatave ndërkombëtare.

William Spindler i UNHCR-së thotë: “Nëse autoriteti qendror do të dalë me një udhëheqje ambicioze dhe të emërojë dikë që të koordinojë këtë detyrë, atëherë ne dhe organizata të tjera ndërkombëtare do të jemi të gatshëm për të ardhur dhe për të ndihmuar”.

Vetëm në muajin korrik mbërritën në Greqi 52 mijë emigrantë, 21 mijë prej të cilëve brenda javës së fundit, kur gjithë vitin e kaluar numri i refugjatëve që mbërritën nga brigjet turke ishte 43500.

“Emigrantët po shpëtohen, si në Itali dhe në Greqi, me një normë prej mbi një mijë vetë në ditë. Nëse llogarisni dy vendet së bashku, doja të theksoja se për 135 ditët që kanë mbetur këtë vit, ne do të presim që numri i përgjithshëm i të ardhurve të kalojë mbi 300 mijë”, deklaroi Joel Millman, zëdhënës i IOM.

Ndërkohë që një anije pasagjerësh çon orët e fundit nga ishulli Kos drejt Pireut në Athinë mbi 2000 sirianë, zëdhënësja e kabinetit qeveritar të Cipras ka njoftuar se qeveria do të marrë me qira edhe anije të tjera për të lehtësuar gjendjen e rënduar në katër ishujt kryesorë pranë brigjeve turke, ku kushtet e pritjes së emigrantëve janë pothuajse inekzistente, për arsye të numrit të madh të emigrantëve.

Sipas Agjencisë së Survejimit të Kufijve të Jashtëm të BE-së, Frontex, vetëm në korrik, mbi 107 mijë e 500 refugjatë, tre herë më tepër se i njëjti muaj i vitit të kaluar, kanë mbërritur në kufijtë e Europës, ndërsa gjatë këtij viti, nga janari deri në gusht, numri i përgjithshëm i tyre ka arritur në 340 mijë.

Top Channel