Greqi, pavarësisht krizës dhe kthesës 180 gradë, Tsipras mbetet dominues në politikë

18/08/2015 00:00

Alexis Tsipras i ka mbizotëruar një përvoje “buzë vdekjeje” me sistemin financiar grek dhe ndërmori një kthesë 180 gradëshe në lidhje me rezistencën e dikurshme ndaj masave shtrënguese. E megjithatë, kryeministri grek duket si figura më e përshtatshme për të udhëhequr politikën e kombit të tij, duke mos pasur asnjë sfidues serioz përballë tij.

E ndërsa ministrat e tij të kabinetit kanë diskutuar haptazi mundësinë e një palë zgjedhjesh të parakohshme, Tsipras duket thuajse i gatshëm të shfrytëzojë popullaritetin e qëndrueshëm të tij në Greqi, si dhe të konsolidojë pozicionin aktual pas disa muajsh të trazuar në krye të qeverisë.

Një arritje e prekshme e Tsiprasit ka qenë arritja e një marrëveshjeje të re shpëtimi për Greqinë, edhe pse me kushte tepër të vështira, për shkak të të cilave një pjesë e mirë e radikalëve të majtë në koalicionin Syriza kërcënojnë me braktisje të qeverisë. Megjithatë, grekët si popull luftarak dhe votuesit e Syrizas, ende e admirojnë atë për mënyrën sesi luftoi ndaj përfaqësuesve të Eurozonës dhe FMN-së për një marrëveshje sa më të mirë, edhe pse ai humbi në fund.

Mbi të gjitha, ata e konsiderojnë 41-vjeçarin karizmatik si një udhëheqës të praprekshëm ende nga korrupsioni, në një vend me një histori të gjatë skandalesh të tilla, e që pak kohë më parë ishte edhe shumë pranë falimentit pas vitesh të tëra vuajtjeje dhe recesioni.

“Tsipras është ende politikani më popullor i momentit. Ai është i ri, i freskët dhe nuk është përfshirë kurrë nëpër skandale”, tha Ilias Tiganis, një pronar 50-vjeçar biznesi në qendër të Athinës. “Njerëzit nuk e harrojnë kollaj faktin se qeveritë e kaluara dhe partitë aktuale të opozitës janë shkaktarët që e sollën vendin deri në këtë situatë”.

Çdo hezitim për të thirrur zgjedhje të parakohshme mund të jetë riskues për Tsiprasin, i cili erdhi në pushtet në janar të këtij vitit me një eksperiencë të madhe protestash politike, por jo drejtimi vendi në të kaluarën.

Tsipras gjithsesi është i palëkundur. “Ndërgjegjja ime është e pastër”, tha ai përpara Parlamentit, përpara se ky institucion të miratonte marrëveshjen e ndihmës së shpëtimit të premten e kaluar. “Kjo është më e mira që mund të siguronim, bazuar mbi balancën e pushteteve në Europë, bazuar mbi kushtet ekonomike dhe asfiksinë financiare të imponuar ndaj nesh”.

Mbështetësit e tij e besojnë tërësisht. “Votuesit e Syrizas mendojnë se Tsipras zhvilloi një betejë të vërtetë ndaj Eurozonës dhe mori më të mirën e mundshme”, thotë Thomas Gerakis, një analist politik dhe kreu i kompanisë së sondazheve “Marc”. “Ata fajësojnë politikbërësit e Eurozonës për paketën e re të masave shtrënguese, më shumë sesa Tsiprasin”.

Sesa popullor është në të vërtetë Tsiprasi, ende mbetet e paqartë. Një sondazh i “Metron Analysis”, i publikuar më 24 korrik, tregonte 61 për qind të popullit me një pikëpamje pozitive ndaj performancës së tij deri më tani. Ndërkohë, mbështetja ndaj Syrizas ishte në nivelet e 33,6 për qind, duke e bërë atë partinë më popullore deri më sot, por jo mjaftueshëm sa për të qeverisur vendin e vetme, pa partner koalicioni.

Top Channel