Kalvari i refugjatëve të luftës. Trenat transportojnë mijëra njerëz çdo ditë përmes Maqedonisë

18/08/2015 00:00

Mbi 400 emigrantë nga Lindja e Mesme, kanë mbërritur paraditen e së martës rreth orës 09:00 në vendkalimin kufitar Tabanoc midis Maqedonisë dhe Serbisë.

Gjatë ditës në këtë pikë kufitare pritet të arrijnë edhe katër herë të tjera refugjatë nga kufiri me Greqinë. Udhëtimi që zgjat për rreth 4 orë me tren nga qyteti i Gjevgjelisë nuk është aspak i lehtë.

“Jemi nisur për në Serbi, pastaj do të vazhdojmë drejt Gjermanisë. Në tren kishte shumë probleme, ky nuk është tren, nuk ka asnjë tren kështu në botë, është shumë i keq”, deklaroi një emigrant.

“Do të shkoj në Gjermani, ky është destinacioni im. Ikim bashkë me vëllezërit dhe familjen, ikim nga lufta”, u shpreh një tjetër.

“Jam nga Iraku dhe familjen e kam atje. Në Irak ka shumë probleme pasi ISIS e ka marrë nën kontrollon qytetin tim”, tha një tjetër emigrant.

“Jam nga Siria, nuk e di ku shkoj…”, ishin e fjalët e një emigrante.

Ndonëse të uritur dhe të etur, ata ia mësyjnë ushqimit dhe pijeve vetëm pasi e kuptojnë se janë falas. Aktivistët e organizatave humanitare që presin emigrantët, rrëfejnë skena të dhimbshme që si kanë parë asnjëherë në jetë.

“Më herët kishte tre trena që bartnin emigrantët, por tani është shtuar numri i tyre dhe vijnë këtu 5 herë në ditë me trena. Ka raste shumë të dhimbshme, sepse ka njerëz invalidë që vijnë, pa këmbë, gra shtatëzana, ka momente shumë të dhimbshme. Por, ne nuk kemi mundësi për t’i ndihmuar më tepër dhe për t’i kaluar andej kufirit sepse është ilegale”, u shpreh Sead Ramadani nga organizata humanitare “Vllaznia”.

Pasi marrin ujë dhe ushqim, refugjatët nisen drejt territorit serb. Kufirin e kalojnë ilegalisht, ndërsa për të arritur në kampin e ngritur në Preshevë duhet të ecin në këmbë rreth 5 kilometra.

Numri i emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, që hyjnë në Maqedoni përmes Greqisë vazhdimisht shënon rritje. Për çdo ditë, nga java e kaluar rreth 2000 burra, gra e fëmijë shfrytëzojnë Maqedoninë si vend transit në rrugën e tyre drejtë shpëtimit. Ata synojnë që përmes Serbisë dhe më pas Hungarisë të arrijnë në vendet më të zhvilluara të BE-së.

Disa nga emigrantët paralajmërojnë se gjatë ditëve në vijim fluksi do të rritet pasi shumica e refugjatëve që ndodhen në Greqi do t’ia mësyjnë Hungarisë para se të përfundojnë punimet për ndërtimin e gardhit që po ndërtojnë autoritetet hungareze në kufi me Serbinë. Edhe nga policia maqedonase nuk përjashtojnë mundësinë e rritjes së fluksit.

Top Channel