Vendimi i Këshillit Bashkiak të Vukovarit, Serbia i dërgon notë proteste Kroacisë

18/08/2015 00:00

Ministria e Jashtme e Serbisë i ka dërguar një notë proteste Kroacisë ditën e martë. Arsye për këtë është bërë një vendim i Këshillit Bashkiak të qytetit të Vukovarit për të ndryshuar statutin e kësaj bashkie.

Këshilli Bashkiak i qytetit lindor kroat mori vendim që ndalonte dygjuhësinë, që do të thotë se nuk do të ketë më shkrime në alfabetin cirilic serb në emërtimet e rrugëve, ndërtesave publike apo shesheve.

Ministria e Jashtme serbe ka thënë se vendimi, për ndalimin e përdorimit të gjuhës së pakicave, është shkelje e të drejtave themelore të njeriut.

Serbia paralajmëroi Kroacinë se do të detyrohet të kërkojë një zgjidhje në institucione ndërkombëtare, në rast se nuk ka një reagim të shpejtë nga autoritetet qendrore kroate ose ato lokale të Vukovarit.

Ministria e Jashtme serbe, notën e protestës ia ka dorëzuar ambasadaorit kroat në Beograd, Ivan Saboliç.

Vukovari është një nga qytetet më të prekura gjatë luftës në Kroaci, pasi në këtë qytet ka ndodhur edhe ajo që njihet si “masakra e spitalit të Vukovarit”, ku mbetën të vrarë 200 vetë, kryesisht të burgosur kroatë dhe civilë të këtij nacionaliteti, ndërsa 60 të tjerë janë të zhdukur që nga ajo kohë.

Top Channel