Maqedoni, nis puna për zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës

17/08/2015 00:00

Ekspertët e 4 partive kryesore në Shkup kanë rinisur këtë të hënë punën për zbatimin e marrëveshjes politike për zgjidhjen e krizës në Maqedoni.

Në takimin e së hënës, që zgjati më tepër se 4 orë, përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së kanë diskutuar për krijimin e listës së re zgjedhore dhe për kompetencat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Asnjëri nga pjesëmarrësit në takim nuk ka dhënë detaje për rrjedhën e bisedimeve, por jozyrtarisht mësohet se grupet e punës ende kanë dallime rreth këtyre dy çështjeve. Bisedimet po zhvillohen me ndërmjetësim të ekspertit belg, Peter Vanhoutte.

Në takimin e parë që zhvilluan pas pushimit dyjavor, mësohet se përfaqësuesit e partive politike nuk kanë hapur temën për prokurorin special, që duhet të hetojë aferën e përgjimeve. Kjo çështje pritet të diskutohet gjatë ditëve në vijim.

Sipas afateve të planifikuara, deri më 15 shtator, palët duhet të arrijnë marrëveshjen për emërimin e prokurorit special. Ndërkohë, partia maqedonase në opozitë LSDM ka paralajmëruar se, deputetët e saj do të ndërpresin në shtator bojkotin dhe do të kthehen në Kuvend.

Në bazë të marrëveshjes për normalizimin e situatës politike në Maqedoni, pas zgjedhjes së prokurorit special dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski duhet të japë dorëheqjen, për t’i hapur rrugën formimit të qeverisë kalimtare, e cila do të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm.

Por, analistët në Shkup vlerësojnë se, zbatimi në praktikë i dokumentit për zgjidhjen e krizës nuk do të jetë i lehtë.

Top Channel