Menaxheri i Alonsos: Do të jetë pretendent për titull në 2016-n

17/08/2015 00:00

Edhe pse ka kaluar vetëm gjysma e Botërorit aktual të Formula 1, pasi pjesa e dytë pritet të rifillojë nga kjo fundjavë me Çmimin e Madh të Belgjikës, në Spa Francorchamps, 2015-a konsiderohet tashmë i ikur dhe po bëhet gjithçka, që në 2016-n të mund të luftohet për titullin kampion.

Një konfirmin ky nga Luis Garcia Abad, menaxher i Fernando Alonsos, duke iu referuar mundësive të pilotit të menaxhuar prej tij që garon për McLarenin këtë sezon. Edhe pse binomi McLaren-Honda nuk ka funksionuar mirë deri më tani, pasi janë grumbulluar vetëm 11 pikë dhe shpesh ka pasur probleme me dështimet mekanike, piloti spanjoll, pas lamtumirës ndaj Ferrarit, vazhdon të mbrojë me qetësi zgjedhjen e tij dhe projektin e skuderisë nga Woking.

“Fernando do të jetë padiskutim një kandidat për titullin kampion bote në 2016-n – ka thnëë Garcia Abad për të përditshmen spanjolle “Cadena Ser”. – Me regulloren aktuale në Formula 1 nuk mund të provosh më asgjë, ndaj dhe është shumë e vështirë ta bësh kompetitiv një motor në këtë fazë të sezonit. Gjithsesi, McLaren-Honda është një kombinim fitues dhe po marrin kohën e nevojshme për të bërë të mundur funksionimin e gjithçkaje siç duhet. Dobësitë e sotme do të jenë pikat e forta të së nesërmes, pasi ka sinjale pozitive se e ardhmja do të jetë me të vërtetë e ndritur. A janë të pamposhtur Mercedesët? Vetëm kur ndonjë ndonjë mrekulli mund të mos i shohësh ato dy njëvendëshe në dy pozicionet e para. Për t’i mposhtur ato duhet të gjesh një tjetër rrugë, ndoshta më të shkurtër sesa pistat ku garojnë ato, për të mundur të mbërrish përpara tyre”, tha menaxheri i Alonsos.

Top Channel