Qeveria greke, drejt votëbesimit. Skenare për zgjedhje të parakohshme

17/08/2015 00:00

Një javë e re zhvillimesh të rëndësishme politike ka nisur në Greqi, ku midis të tjerash parashikohet, që kryeministri Tsipras të kërkojë votëbesimin e Qeverisë, pas çarjes së madhe në gjirin e deputetëve të radikalëve të majtë, një e treta e të cilëve nuk mbështeti programin e ndihmës, që Qeveria solli në Parlament.

Pas rebelimit të 43 deputetëve të Syrizas, të cilët bënë që Qeveria të humbasë në thelb shumicën parlamentare, zyrtarë të lartë të saj, si ministri i Energjisë apo ai i Shëndetësisë e cilësojnë mëse të llogjikshme votëbesimin e Qeverisë dhe më pas zhvillimin e zgjedhjeve të reja, që mund të qetësojnë klimën dhe të tregojnë se njerëzit do të pranojnë programin e vështirë të shpëtimit, nën një kabinet që gëzon mbështetje të fuqishme, siç ka theksuar edhe zëdhënësja e Qeverisë.

Alekos Flabouraris, ministër i Shtetit dhe këshilltar i afërt i Tsiprasit, ka kërkuar nga deputetët e së majtës unitet dhe mbështetje, përndryshe do të ishte hera e parë, që një qeveri e majtë të rrëzohej nga vetë të majtët.

Zhvillimet e reja priten pas 20 gushtit, dita kur Greqia merr këstin e parë të ndihmës, prej gati 26 mld euro, nga paketa e tretë e shpëtimit prej 86 mld eurosh në total.

Konservatorët opozitarë, si forcë e dytë me 76 ligjvënës, kanë deklaruar se nuk do të japin votëbesim për Qeverinë, po ashtu edhe PASOK, me 13 deputetët e mbetur, si dhe komunistët grekë të Agimit të Artë. Kështu që, nëse 43 rebelët e radikalëve të majtë votojnë “Jo”, atëherë Tsipras do të ketë dorë të lirë për të shpallur zgjedhjet e parakohshme në datën 20 shtator, siç theksohet në shumicën e shtypit grek.

Megjithëse janë të shumtë, ata që thonë se ka ndryshuar qëndrimin politik duke shkelur premtimet elektorale, Aleksis Tsipras mbetet i paprekur nga skandalet e korrupsionit, – që kanë prekur partitë e vjetra të Greqisë dhe udhëheqësit e tyre, – si dhe gëzon përsëri përkrahjen e shumicës së grekëve, edhe pse ka disa javë që nuk ka sondazhe të reja pas mbylljes dhe rihapjes së bankave dhe vendosjes së kontrollit të kapitaleve.

Top Channel