Merkel: Ka shpresë për Greqinë. Tani duhet të presim dhe të shikojmë rezultatet e reformave

17/05/2015 00:00

“Tsipras ka ndryshuar”, tha Angela Merkel të dielën në televizionin gjerman, ZDF gjatë një interviste ku situata greke përbënte temën qendrore.

“Siguri se gjendja mund të përmirësohet nuk ka, por shpresë po”, u shpreh kancelarja. Në këndvështrimin e shefës së ekzekutivit gjerman, mënyra sesi është duke punuar qeveria greke ndryshon shumë nga muajt e mëparshëm.

Është e qartë se që shteti helen të arrijë të ecë sërish me këmbët e tij e të shoh dritë në fund të tunelit duhen zbatuar patjetër reformat për të cilat ka rënë dakort. Per Merkelin, tani thjesht duhet pritur për të parë se do të munden t’i implementojnë grekët angazhimet e tyre.

Intervistën në kanalin e dytë publik kombëtar në vend, kancelarja e përdori për të përcjellë edhe një garanci që duhet të shërbejë për të fashitur shqetësimet e përvijuara se fundi.

“Nuk do të ketë një Europe gjermane, nuk është ajo që duam”, siguron Merkel. Sa për tkurrjen e borxhit të Athinës, qëndrimi i saj është sërish i palëkundur. “Kjo s’ka për të ndodhur ndonjëherë”, ishin fjalët e lideres gjermane.

Ndërkohë, i pamundur nuk është pretendimi për një tjetër mandat në krye të qeverisë. Merkel u tregua e kujdesshme të mos ushqente spekullimet e një rikandidimi në zgjedhjet e 2017-s, por nga ana tjetër, as nuk e mohoi një mundësi të tillë.

“Qytetarëve u kam thënë se jam në dispozicion për këtë legjislaturë, sa i takon pjesës tjetër, për atë do të flasim në momentin e duhur, e ky moment, s`ka ardhur akoma”, u shpreh kancelarja.

Top Channel