Pogradec, burri vret bashkëshorten nga xhelozia

15/08/2015 00:00

Një 35-vjeçare është vrarë nga bashkëshorti i saj pas një grindjeje për motive xhelozie. Lirie Çekani është torturuar, goditur me thikë dhe mbytur në banesën e saj nga bashkëshorti Zamir Çekani, ndërsa ka ndërruar jetë pa mundur të mbërrijë në spital.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Proptisht të Pogradecit, ku 38-vjeçari nën efektin e pijeve alkoolike i ka marrë jetën nënës së fëmijëve të tij. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, policia ka bërë me dije se gruaja është qëlluar disa herë në parakrah me thikën e bukës. Zamir Çekani, në grindje e sipër, për shkaqe banale, e ka lidhur bashkëshorten e tij me një lidhëse të teshave dhe më pas e ka goditur me thikë në parakrah rreth 2-3 herë. Sipas hetimeve paraprake, si dhe nga deklarimet që i janë marrë kryeplakut dhe infermieres së fshatit, mësohet se shtetasja Lirie Çekani ka ndërruar jetë si rezultat i mbytjes.

Sipas deklarimeve të marra Zamir Çekanit, thikën me të cilën ai ka qëlluar bashkëshorten, e ka hedhur jashtë banesës dhe për shkak të errësirës dhe terrenit të vështirë, thika ende nuk është gjetur.

Mësohet se 40-vjeçari ka qenë një person problematik dhe i dhunshëm, ndërsa shpesh nën efektin e alkoolit bënte skena  xhelozie për bashkëshorten.

Sakaq, policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel