Refugjatët dynden në Maqedoni. Nga Greqia synojnë Serbinë e më pas Hungarinë

14/08/2015 00:00

Jugu i Maqedonisë është kthyer në një tjetër vatër që përcjell emigrantë. Të gjithë kanë vetëm një qëllim: të ikin dhe të jetojnë diku jashtë nëpër Europë.

Treni që lidh Maqedoninë me Serbinë është kthyer në shpresën e tyre të fundit. Burra, gra dhe fëmijë janë fotografuar duke shtyrë njëri-tjetrin vetëm e vetëm për të zënë një sedilje në trenin gjysmë të shkatërruar.

Sipas të dërguarve të mediave ndërkombëtare që ndjekin nga afër situatën, dëshpërimi i njerëzve sa vjen edhe rëndohet. Madje, kur dera e trenit mbyllet, ata tentojnë të hipin nga dritaret.

Refugjatët kërkojnë me doemos të gjejnë një mënyrë për të ndjekur udhëtimin që mendojnë se do t’i çojë drejt një jete më të mirë.

Shumë prej tyre kërkojnë të arrijnë në tunelin në Kalais, që lidh Francën me Anglinë, për t’u bashkuar me pjesën tjetër të emigrantëve, numër ky që ka arritur rreth 5 mijë, ndonëse edhe ata të pashpresë.

Shumica e tyre janë Sirianë që e shohin Ballkanin vetëm si tranzit. Ata nisen nga Lindja e Mesme, arrijnë Greqinë ose Turqinë dhe pastaj kërkojnë që përmes shtigjeve të rajonit tonë të arrijnë perëndimin e Europës. E pasi arrijnë atje ku duan, refugjatët nisin procesin e azilit.

Top Channel