Shkup, arrestohet edhe një i dyshuar në kuadër të aksionit “Celula”

14/08/2015 00:00

Policia maqedonase ka arrestuar një 24-vjeçar nga Shkupi, i cili kërkohej nga strukturat e sigurisë në kuadër të aksionit policor “Celula”.

Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme, pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra paraprakisht, i dyshuari është arrestuar mesditën e së enjtes, ndërsa më pas i është dorëzuar prokurorit, i cili i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë.

“Gjatë arrestimit nuk janë regjistruar incidente dhe nuk ka pasur përdorim të forcës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

I arrestuari është njëri nga 36 të dyshuarit, kundër të cilëve është ngritur padi penale për veprat “pjesëmarrje në ushtri të huaja, polici, formacione paraushtarake dhe para-policore”.

“Sipas dyshimeve që i kemi nga hetimi, shtetasi F.I ka qenë pjesë logjistike e grupit dhe në disa raste eshte perpjekur të shkojë në Siri, por pa sukses”, thotë MPB.

Sipas institucionit, tentativa e fundit e të riut për të shkuar në Siri ka qenë më 3 qershor, kur atij i është ndaluar dalja nga Maqedonia.

Në bazën e të dhanëve të MPB-së, i dyshuari nuk rezulton të ketë kryer vepra penale të mëhershme.

Top Channel