Maqedoni, ekspertë të huaj do të analizojnë shkaqet e përmbytjeve në Tetovë

14/08/2015 00:00

Gjatë ditëve të ardhshme Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim, në bashkëpunim me shtatë ekspertë të huaj, do të angazhohet në zbulimin e shkaqeve për përmbytjet që goditën rajonin e Tetovës, në Maqedoni.

“Përmes mekanizmit për mbrojtje civile, kërkuam që të aktivizohet sistemi Kopernikus dhe morëm xhirime satelitore për gjendjen konkrete në Tetovë. Do të bëhet verifikimi i mirëfilltë i infrastrukturës në të gjithë hapësirën që u godit nga përmbytjet dhe rrëshqitja e tokës”, ka pohuar për mediat drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu.
 
Saliu ka paralajmëruar se pas këtyre analizave, drejtoria e tij do u ofrojë udhëzime dhe rekomandime qeverisë dhe vetëqeverisjes lokale se si të rregullohet kjo hapësirë, me qëllim që në të ardhmen të mos ndodhin tragjedi të këtilla.
 
Shaban Saliu ka deklaruar se nga përmbytjet janë dëmtuar 390 shtëpi dhe se janë duke u pastruar 1.5 milionë kubikë dhe’.
 
Në terren punojnë 39 ekskavatorë, disa buldozerë dhe 40 kamionë. Sipas Saliut, pritet që pas disa ditëve, terreni do të jetë tërësisht i rregulluar.

Top Channel