Greqi, Parlamenti miraton planin e tretë prej 85 miliardë euro; voton pro edhe opozita

14/08/2015 00:00

Një fitore si e Pirros ka arritur qeveria greke pasi ka marrë dritën jeshile të Parlamentit me votat e shumicës për paketën e tretë të ndihmës për Greqinë, por ka humbur më shumë se një të tretën e grupit parlamentar dhe së shpejti, siç theksojnë burime qeveritare, kryeministri Tsipras do të kërkojë votëbesimin e qeverisë dhe ndoshta vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Parlamenti grek, në një seancë maratonë ku janë dëgjuar shpeshherë edhe fyerje dhe replika banale dhe të tensionuara gjatë gjithë natës, ka aprovuar me shumicë votash në mëngjesin e së premtes paketën e tretë të ndihmës financiare prej 86 miliardë euro që do të marrë Greqia nga kreditorët e saj në këmbim të masave dhe reformave të ashpra ekonomike dhe strukturore.

Kryeministri Tsipras, duke dashur për herë të fundit t’u bëjë thirrje rebelëve marksistë brenda gjirit të partisë së tij, ka theksuar para votimit se aprovimi i marrëveshjes së ndihmës është zgjedhja e domosdoshme për kombin, duke shtuar se më e mira për vendin është një memorandum ndihme brenda eurozonës sesa me monedhën kombëtare, dhrahminë.

“Nuk pendohem se kam luftuar si askush tjetër, me aq sa unë di, nuk dua të fyej dikë tjetër, për të mbrojtur të drejtat e popullit grek, këtë të drejtë që kam besuar edhe unë. Dhe as që pendohem se pranova kompromisin për marrëveshjen e shpëtimit në vend të valles së Zalogut, vallja e vetëvrasjes heroike të grave të Sulit që hidhen nga shkëmbi, për shkak të shumicës së popullit grek”, tha Tsipras në Parlament.

Por kësaj here humbjet brenda radikalëve të majtë kanë qenë edhe më të mëdha. Pro marrëveshjes kanë votuar gjithsej 222 deputetë, duke përfshirë edhe konservatorët e opozitës si dhe socialistët e Pasok-ut. 64 të tjerë nga Agimi i Artë, Partia Komuniste, por edhe 31 ligjvënës të Syrizës kanë votuar kundër, ndërsa edhe 11 të tjerë nga kjo parti kanë abstenuar.

Midis atyre që nuk kanë mbështetur kryeministrin grek kanë qenë përsëri edhe ish-ministri i Financave, Yanis Varoufakis, si dhe kryetarja e parlamentit Zoi Konstandopoulou.

Burime qeveritare kanë theksuar pas votimit se Aleksis Tsipras, duke parë se ka paguar për këtë marrëveshje një çmim të rëndë politik, është i gatshëm që menjëherë pasi të sigurojë këstin e parë të ndihmës rreth datës 20 gusht të kërkojë votëbesimin e qeverisë në parlament javën e ardhshme ku me siguri nuk do të ketë mbështetjen e grupit marksist brenda partisë së tij dhe në këtë mënyrë duke humbur shumicën parlamentare, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Gjithsesi, pas aprovimit nga parlamenti grek marrëveshja për Greqinë diskutohet dhe aprovohet në orët e ardhshme edhe nga ministrat e eurozonës, ndërsa para datës 18 do të jetë ratifikuar edhe nga disa parlamente europiane.

Top Channel