Çështja Renault, Ecclestone: Do të ishte mëkat ta humbisnim nga F1

13/08/2015 00:00

Bernie Ecclestone, presidenti dhe padroni i Formula 1, duket se është i gatshëm të bëjë diçka në ndihmë të kompanisë franceze të prodhimit të makinave, Renault.

Pas deklaratave të dhëna javëve të kaluara nga drejtues të francezëve, të cilat lënë të dyshosh mbi të ardhmen e tyre që mbetet ende për t’u vlerësuar, kreu i sportit më të ndjekur të automobilizmit ka ndërhyrë për të dhënë mendimin e tij.

“Kanë thënë se do të marrin një vendim brenda shtatorit. Duhet të presim e t’i dëgjojmë, por nëse ka diçka që mund ta bëjmë për t’i ndihmuar, do të ishte gjë e mirë të mendonim që nuk do të zhdukeshin”.

Javën e kaluar, ishte vet përgjegjësi i “Motorsport Renault”, Cyril Abiteboul, i cili foli hapur për të ardhmen, duke deklaruar se në fund të kontratave aktuale me Red Bull dhe Toro Rosso, që skadojnë në vitin 2016, drejtuesit e francezëve do të vlerësonin edhe zgjedhje të ndryshme, gjë që mund të sillte edhe largimin nga bota e Formula 1.

Në fakt, zgjedhjet e mundshme janë vetëm 3: të vazhdojnë si furnizues motorësh, të braktistin sportin në fjalë, ose të rikthehen si konstruktorë të pavarur nën markën Lotus. Sigurisht, kjo e fundit është edhe mundësia që Ecclestone dëshiron të bëhet realitet.

“Do të më pëlqente dhe do të uroja që ata të rikthenin edhe njëherë Lotusin e dikurshëm, ose të ndërtonin diçka të re nga themeli”. Megjithatë një pengesë e madhe për këtë gjë është borxhi i ekipit anglez. Për më tepër, edhe vështirësitë me të cilat është përballur në pistë Renaulti gjatë këtij sezoni. Gjithsesi, e rëndësishme dhe parësore do të ishte të ndërtohej një njësi motorike kompetitive, përpara se të rikthehej si një skuderi më vete në kuptimin e plotë të fjalës.

Top Channel